
Nis përsëri importi i mishit brazilian drejt Shqipërisë. Kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi knfirmoi për AgroWeb.org se ka rifilluar importi i këtij mishi pas bllokimit nga muaji mars. Lajmi bëhet i ditur nga media përmes AFI (Albanian Food Industri) e cila njofton se pas këmbënguljes disa javore të ekspertëve të AFI, qeveria braziliane ka korrigjuar vendimin për eksportet e produkteve shtazore drejt Shqipërisë. Drejtoresha e Njësisë Ekonomike në Ministrinë e Jashtme Silvana Leskaj përmes një shkrese zyrtare njoftoi AFI se për problematikën në fjalë ishte angazhuar i ngarkuari i ministrisë sonë të jashtme në Ambasadën e Shqipërisë në Brazil për t’u konsultuar për këtë çështje me përfaqësues të Ministrisë Braziliane të Bujqësisë, shkruan bionews.al.
Pas kësaj qeveria e këtij vendi përmes një memorandumi reflektoi korigjimet e duhura. Ky memorandum e kalon Shqipërinë nga një vend që ndalohet importi i çdo lloj produkti shtazor brazilian në një vend që lejon importin. Në pranverë të këtij viti Ministria e Bujqësisë Shqiptare pezulloi importin e mishit nga disa kompani braziliane. Më pas Ministria e Bujqësisë e Brazilit vendosi një embargo totale për eksportet e mishit drejt Shqipërisë. Ky urdhër shqetësoi disa prej anëtarëve të AFI-t. Brazili është eksportuesi kryesor i mishit të viçit dhe të pulës drejt Shqipërisë. Janë disa kompani shqiptare që operojne me importet e këtyre produkteve.