- Deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, Rudina Hajdari, vajza e ish-deputetit të vrarë demokrat Azem Hajdari, liderit të lëvizjes së dhjetorit ’90, shprehet se si deputete ka realizuar ëndrrën e saj për t’u përfshirë në politikë dhe si një amanet i pathënë i të atit.
Debatin për Gramoz Ruçin në krye të Kuvendit, deputetja demokrate e shkolluar në SHBA e ndan në dy aspekte, në atë ligjor e Kushtetues, sipas të cilit kandidatura e tij nuk ka asnjë mospërputhje dhe atë moral. Prejardhjen e tij nga periudha komuniste para ’90 kur ka mbajtur poste të larta shtetërore, deputetja demokrate e cilëson shqetësuese për një pjesë të shoqërisë shqiptare që ka vuajtur persekutimet e periudhës së komunizmit. E pyetur për lënies jashtë listës së deputetëve të PD të emrave si Jozefina Topalli, Astrit Patozi apo Genc Ruli, Hajdari i vlerë- son si emra me vlerë dhe kontribute, ndërsa do të jetë koha që do të vlerësojë cilindo.
Ju vini nga disa vite studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë studimesh keni mbaruar?
Studimet i kam kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kam filluar me gjimnazin në New York, më pas kam bërë shkollën e lartë në “Fordham University”, New York në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare e më pas Master në “Columbia University”, New York për të Drejtën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe një Master në “King’s College”, Londër për Gjeopolitikën, Territorin dhe Sigurinë.
Kur jeni kthyer në Shqipëri?
Kam rreth 7 muaj.
Keni punuar në institucionet e shtetit shqiptar?
Kam punuar në Ministrinë e Jashtme, për 2 vjet 2009-2011 në departamentin e NATO-s si specialiste, menjëherë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Si e morët vesh që do të ishit në listën e kandidatëve për deputetë të PD? Si jua komunikoi zoti Basha?
Ishte një vendim i kryetarit të Partisë Demokratike dhe unë e mora vesh siç e morën vesh të gjithë kandidatët e tjerë, nuk pati ndonjë procedurë të veçantë për mua.
E prisnit një kandidim për deputete, ju kishte shkuar në mendje se një ditë mund të zëvendësonit babai tuaj në parlament?
Ishte një aspiratë e imja. Ishte realizim i të gjithë investimit të jetës sime, që unë e kam bërë me përkushtim të thellë dhe përgjegjësi të mbiemrit që mbaj.
Si u ndjetë kur kryetari i PD-së ju lajmëroi se do të jeni kandidate për deputete në Tiranë në një zonë të sigurt të listës?
Ishte realizimi i një ëndrre që unë e kisha pritur dhe e kisha ndërtuar me arsimim dhe pjesëmarrje aktive në ambientet e politikës. Isha e vetëdijshme se kisha një përgjegjësi shumë të madhe, unë jam vajza e Azem Hajdarit dhe përgjegjësia ime para publikut, por dhe Partisë Demokratike, është shumë më e madhe se e kolegëve të tjerë.
Si e përjetuat ditën e parë si deputete, aty ku 26 vjet më parë ishte ulur dhe babai juaj?
Ishte shumë emocionuese dhe e veçantë, sepse atë ditë unë pata fjalimin e parë në atë parlament, por ajo ditë koincidoi edhe me 19-vjetorin e vrasjes së babait tim, Azem Hajdarit. Ishte një rastësi e dhimbshme, ishte rastësi e bukur, ishte një rastësi e tillë që ndjeva, unë dhe ai ishim të dy në atë sallë. Emri i Azem Hajdarit, përmes meje, përmes ditës së shënuar, u rikthye dhe u artikulua atë ditë edhe në parlament. Dukej sikur ishte një dëshirë e tij që 19 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, e bija e tij të rikthehej në atë sallë ku ai aq shumë debatoi, punoi, bëri ligje, bëri beteja politike.
Ju bën përshtypje fakti që emri i Azem Hajdarit u kujtua atë ditë jo vetëm nga demokratët, por dhe kundërshtari politik, siç ishte kryeministri Rama, i cili me një status në FB, uroi zënien e karriges së Azemit prej vajzës së tij në Kuvend? Si e patë këtë qëndrim?
M’u duk shumë normale, është një sjellje korrekte dhe mendoj se kjo i dedikohet dhe figurës së babait tim, i cili ka marrë vlerësime dhe nga kundërshtarët e tij politikë për shpirtin luftarak që kishte. Vlerë- simin për përfshirjen time në politikë e shoh korrekte dhe normale për një vend demokratik europian.
Ju keni qenë 12 vjeçe, kur është vrarë Azem Hajdari. Çfarë mbani mend nga ato ditë?
Mbaj mend që ka qenë një periudhë shumë e errët në jetën time. Ka qenë një periudhë e ngjeshur me ngjarje, 1997, 1998, plagosja në Kuvend, kishin shumë situata të vështira. Ne i kemi përjetuar rëndë në familje këto ngjarje. Duke qenë se kam qenë në një moshë shumë të vogël, përjetimet e atyre ditëve i kam shumë personale dhe mendoj se duhet të mbeten personale e të mos i ndaj me publikun.
Gjatë viteve 1997-1998 transmetohej në familje ndonjë shqetësim i madh ndaj babait apo ndonjë rrezik që te ju diskutohej?
Nuk kemi pasur biseda të tilla. Babai im ka pasur një tipar të veçantë, faktin që kur vinte në shtëpi, merrej me familjen, ishte i dedikuar ndaj nënës dhe ne fëmijëve e nuk diskutonte çështjet e punës dhe politikës.
Cili është qëndrimi juaj për kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili është nga deputetët më të vjetër të Parlamentit shqiptar?
Unë do ta shihja në dy aspekte këtë çështje: e para, është pjesa ligjore. Sipas Kushtetutës, Gramoz Ruçi i përmbushi kriteret që kërkohen për të qenë në krye të Kuvendit. Në një demokraci, ne duhet ta respektojmë Kushtetutën, pavarësisht nëse politikisht biem ose jo dakord me propozimin që u bë që ai të jetë në krye të Kuvendit.
Personalisht, mendoj se Gramoz Ruçi, zgjedhja e tij ishte një regres për Shqipërinë, sepse ai i përket një të kaluare dhe reputacioni i tij është e rëndë për një pjesë të mirë të shqiptarëve që ka kaluar mes vuajtjeve dhe persekutimeve të periudhës së komunizmit.
Përveç kësaj, ai ka pasur një konflikt dhe me Ambasadën Amerikane, e cila ia ka ndaluar udhëtimin për në Amerikë dhe kjo është e rëndë për numrin dy të vendit. Por unë pashë një kontradiktë të madhe nga ana e kryeministrit, i cili gjatë fjalës së tij fliste për një Shqipëri europiane, ndërsa në krye të Kuvendit vendos një njeri të kohës së vjetër, që vjen nga një e kaluar komuniste. Kjo për mua përbën nonsens nga ana e kryeministrit.
Grupi Parlamentar i PD-së ka shumë të rinj, si e shihni marrëdhënien mes brezave në PD?
Brenda Partisë Demokratike nuk shoh ndonjë mospërputhje mes brezave. Mendoj se lista e deputetëve të kryetarit Basha kishte një ripërtëritje të Grupit Parlamentar të PD-së. Ka një mirëkuptim dhe organizim nga të gjithë, pa diferencime mes të rinjve apo atyre më me përvojë në PD dhe mendoj se kjo do të na ndihmojë të krijojmë një frymë. Tani mbetet në dorën e të rinjve se sa aftësi kanë dhe se çfarë dinë të bëjnë për ta afirmuar veten e tyre në politikë.
Si e shikoni mungesën e ish-nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, nga Parlamenti, apo dhe të Astrit Patozit, Majlinda Bregut dhe Genc Rulit?
Jo vetëm emrat që ju përmendët janë me vlerë e kontribute në PD, për çdo demokrat që ka dhënë mbështetje në atë parti, sigurisht që lë gjurmë. Vetë koha historia e tregon realisht të vërtetën. /Panorama/