Në Kukës, afrimi i dimrit ka vënë në lëvizje shtabet e emergjencave të cilët po përgatiten për të ftohtin dhe dëborën që izolon mjaft fshatra të zonës. Kështu, ka nisur shpërndarja e druve të zjarrit për kopshtet çerdhet e shkollat, ku përparësi kanë marrë ato në zonat e thella malore.
Në qytetin e Kukësit dhe njësitë administrative që mbulohen nga Bashkia Kukës, kopshtet dhe çerdhet po furnizohen me lëndë drusore për ngrohje pavarësisht se ky proçes duhet të fillonte në mesin e muajit Nëntor.
Përveç institucioneve parashkollore furnizimi me lëndë djegëse, dru zjarri po vijon edhe në shkolla ku përparsi iu është dhënë zonave të thella malore pasi gjatë stinës së ftohtë shumë prej tyre izolohen.
Me nisjen e reshjeve të shiut duket se shtabet e Emergjencave Civile të Prefekturës dhe Bashkisë Kukës po parapërgatisin situatën për përballimin e problematikave të dimrit, që në këto zona është i gjatë dhe i vështirë.