Friday, April 19, 2024
HomePolitikëMinistri Bushati prezanton projekt-ligjin për pakicat kombëtare

Ministri Bushati prezanton projekt-ligjin për pakicat kombëtare

-

 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati prezantoi sot përpara Komisionit Parlamentar të Ligjeve projektligjin për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Gjatë prezantimit të këtij projektligji për herë të parë në vendin tonë, Bushati u ndal në disa aspekte të rëndësishme të tij.

Sipas këtij projekt-ligji, zyrtarisht pakicat kombëtare në Shqipëri janë pakicat greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake e serbe.

Ndërkohë, ky projekt-ligj vjen pas kërkesave të hershme të Këshillit të Europës që në vitin 2007 dhe si i tillë është në përputhje totale me parimet e europiane, ku vetë këto institucione kanë qenë pjesë e hartimit të tij.

FJALIMI I BUSHATIT
Të nderuar kolegë deputetë,
Është përgjegjësi për mua në emër të qeverisë shqiptare të jem këtu para jush për të prezantuar në mënyrë të përgjithshme projekt-ligjin për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Ju me të drejtë referuat, zoti Kryetar gjatë fjalës së hapjes, se për këtë projekt-ligj kanë punuar disa institucione brenda suazës së Këshillit të Ministrave. Ai është miratuar si bashkë-propozim i katër institucioneve: Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Çështjeve Sociale të asaj kohe dhe Ministrisë së Arsimit, duke pasur parasysh gamën e gjerë që trajton, sikundër detyrimet ndërkombëtare dhe angazhimet që ka marrë Shqipëria, kryesisht pas rënies së regjimit komunist e më pas në vijimësi, edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian për sa i përket mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të pakicave.

Mund të thuhet që në fillim se, janë këto shtysa kryesore për sa i përket arritjes në një mendje brenda Këshillit të Ministrave, në bashkëveprim edhe me një pjesë të mirë të institucioneve të cilat ju i përmendët, te cilët kanë qenë pjesë në procesin e konsultimit të këtij ligji, por edhe me institucionet dhe partnerët ndaj të cilëve Shqipëria ka detyrime dhe ku raporton, që ne të vinim me këtë propozim.

Natyrisht, Shqipëria është vend palë në konventat Kuadër të OKB-së, të KiE e më specifike është konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

Një pjesë e këtyre standardeve reflektohen edhe në kuadrin kushtetues e në kuadrin ligjor shqiptar. Por, duke e konsideruar respektimin e të drejtave dhe të pakicave jo vetëm një detyrim që buron nga angazhimi i institucioneve shqiptare në organizmat ndërkombëtarë por edhe si një realitet, ne vlerësojmë se me këtë ligj kemi mundësi të intensifikojmë edhe më tej ruajtjen dhe shprehjen e identitetit kombëtar, fetar e kulturor të pakicave, të cilat përbëjnë natyrisht një prej elementëve kryesorë të shoqërisë tonë.

Një ndër objektivat kryesore në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut është edhe përmirësimi i mëtejshëm i mbrojtjes së të drejtave të pakicave në përputhje me standardet evropiane dhe konform angazhimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare si dhe zbatimit praktik të tyre.

Si lindi ideja për të ardhur deri këtu? Siç dihet, Shqipëria ka firmosur marrëveshjen e stabilizim asociimit në vitin 2006 me Bashkimin Evropian dhe në kuadër të planit kombëtar të veprimit, në zbatim të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të prezantuar aso kohe, është planifikuar edhe miratimi i një ligji për minoritetet kombëtare. Është fakt që, një gjë e tillë evidentohet edhe në gjetjet e komitetit këshillues të Konventës Kuadër, në opinionet e tij dhe veçanërisht në opinionin e vitit 2012 i cili vlerëson se miratimi i një ligji të tillë do të plotësonte mangësitë ekzistuese në kuadrin ligjor dhe institucional për minoritetet kombëtare në Shqipëri, si dhe do të ndihmonte në qartësimin e politikës shqiptare kundrejt minoriteteve të saj, veçanërisht, sipas këtij opinioni, “në përcaktimin e kritereve te duhura ligjore për njohjen e minoriteteve kombëtare”.

Megjithëse një premtim për një ligj të tillë ishte dhënë nga ana e autoriteteve shqiptare që në vitin 2007, angazhimi për ta bërë realitet këtë zotim nuk ka qenë real deri në vitin 2014, kur me urdhër të Kryeministrit, u ngrit një grup ndërinstitucional pune për të analizuar fillimisht kuadrin ligjor për mbrojtjen e pakicave në Republikën e Shqipërisë. Pasi u bë një analizë paraprake e kuadrit ligjor në mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, në Shqipëri, në bashkëveprim edhe me institucionet, një pjesë e të cilave u përmendën, si edhe me ekspertizë ndërkombëtare, u konkludua për të pasur një ligj specifik kuadër, që do të adresonte një numër çështjesh të cilat, deri në këto momente që flasim. janë të paadresuara.

Në opinionin e Komitetit Këshillues të Konventës Kuadër, evidentohej si çështje shqetësuese jo thjesht mungesa e një ligji për pakicat, por edhe një ligji për pakicat dhe miratimi i një ligji për pakicat, i cili edhe pse ishte planifikuar që në 2006, 2007, nuk ishte në bërë asnjë rast realitet. Në këtë kuadër, komiteti Këshillues i rekomandoi dhe i kërkoi autoriteteve miratimin e një ligji specifik për pakicat, për të qartësuar politikat ndaj tyre, veçanërisht duke përcaktuar kritere të qarta ligjore, të kërkuara për njohjen e një pakice kombëtare. Komiteti konsideroi se autoritet për marrjen në konsideratë të kritereve objektive dhe subjektive lidhur me identitetin e personave, duhej të favorizonte një qasje më fleksibël dhe më të hapur me qëllim zbatimin në germë dhe në frymë të Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për pakicat.

Ndër rekomandimet e tjera të komitetit këshillues evidentohen:

-përpunimi i të dhënave dhe censusit në përputhje të plotë me parimin e vetdeklarimit. Sigurimin që në censuset e ardhshme të parashikohen procedurat e duhura si dhe format e tjera për mbledhjen e të dhënave, me qëllim që të ofrohen të dhëna të besueshme për gjetjen e personave që u përkasin pakicave kombëtare.
– Intensifikimi i një dialogu me personat që u përkasin pakicave, mbi mundësitë e mësimit në gjuhën e tyre;
– Forcimi i dialogut me shoqatat që përfaqësojnë pakicat, konsultimi i tyre në lidhje më çështje mbi pakicat;
– Përdorimi i gjuhës së pakicave në marrëdhënie me autoritetet administrative;
– Përdorimi i emrave tradicionale e i shenjave të tjerë topografike;
– E natyrisht, zbatimi efektiv i planit kombëtar për zbatimin e dekadës Rome 2010-2015.

Gjithashtu, krahas opinionit, kemi edhe rezolutën e komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës për Pakicat. Kjo rezolutë, e cila është diskutuar fillimisht gjatë vitit 2013 e që ka hasur disa debate, kundërshti dhe shprehje të pikëpamjeve të ndryshme kryesisht nga vende fqinje, u miratua në shkurt të vitit 2014. Në rekomandimet kryesore të kësaj rezolute evidentojmë:

– Konsiderimin e miratimit e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës mbi pakicat.
Pra, serish, si rezoluta, ashtu dhe opinioni i komitetit, puqen në argumentimin apo në nevojën për të eliminuar çdo shkak për trajtim të diferencuar midis kategorive të pakicave kombëtare dhe etno-gjuhësore.
– Së dyti, të dhënat e censusit, të përpunohen në përputhje të plotë me parimin e vetë deklarimit.
– Të sigurohet qe edhe në censuset e ardhshme të vendosen procedura të përshtatshme si dhe forma të tjera të mbledhjes së të dhënave, me qëllim që të ofrohen të dhëna të besueshme për gjendjen e personave që u përkasin pakicave kombëtare.
– Të identifikohen masat që do të mundësonin ndërmarrjen e nismave që kanë si synim mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor e gjuhëve të pakicave kombëtare.
– Të sigurohet dhe të promovohet aksesi i personave që u përkasin pakicave kombëtare, përfshirë dhe grupeve më të vogla në numër në programet televizive dhe radiofonike në gjuhët e tyre.

E theksoj këtë sepse në takime që kemi pasur me grupe të ndryshme apo me shoqata të pakicave, ka lindur ndonjëherë diskutimi në rast se duhet pakica të caktuara duhet të trajtohen në mënyrë të privilegjuar në raport me pakicat e tjera. Besoj se standardi ndërkombëtar në këtë pikë është i qartë.

Tjetër:
· të përmirësohen rregullimet ekzistuese për përdorimin e gjuhëve të pakicave në marrëdhënie me autoritetet e administratës,
· të përdoren tabelat dygjuhëshe për emërtimet e vendeve në gjuhët e pakicave,
· të rishikohen rregullimet ligjore me qëllim që të vendoset një dialog i plotë dhe efektiv me organizatat që përfaqësojnë pakicat kombëtare dhe etnogjuhësore, dhe të konsultohen për çështje që kanë lidhje me to.

Deri këtu flasim për gamën e angazhimeve që ka Shqipëria në kudër të Këshillit të EU. Më pas do doja t’i referohesha edhe një detyrimi shumë të rëndësishëm ndërkombëtar që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit Europian.

Në Vitin 2013, raporti i Komisionit Evropian, kur flet për përmbushjen e të ashtuquajturave 12 prioritete për aplikimin e Shqipërisë për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE thekson se, është i nevojshëm miratimi i legjislacionit gjithëpërfshirës si dhe çështja e censusit. Po kështu, raporti i vitit 2014 nga ana e Komisionit Evropian flet për hartimin e roadmapapo një hartë rruge mbi 5 prioritetet. Qëllimi i Komisionit Europian ishte të formulonte si masë konkrete miratimin e legjislacionit gjithëpërfshirës për minoritetet duke i’u referuar sigurisht opinionit të komunitet këshillues dhe rezolutës për pakicat kombëtare të Këshillit të Europës, si një institucion me ekspertizë të konsoliduar në këtë drejtim.

Po kështu, në vitin 2014, 2015, 2016, duke respektuar kohën dhe kontributin e secilit prej kolegëve në këtë komision, mund t’ju them që në mënyrë konsegutive, të gjitha raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë reflektojnë dhe evidentojnë progresin e bërë që nga ngritja e grupit ndërinstitucional të punës nën drejtimin e kryeministrit, përcaktimi i hartës së rrugës dhe evidentimi i parë i boshllëqeve në legjislacion, në kuadrin institucional, e deri tek konkludimi i idesë që duhet shkuar me një ligj kuadër, i cili reflekton më së miri detyrimet që ka Shqipëria, sidomos përsa i përket konventës kuadër, fotografimit të realitetit si dhe promovimit sa më të mirë të të drejtave të pakicave qoftë si individ, qoftë në grup.

Natyrisht, pjesë e angazhimeve dhe planit tonë për zbatimin apo për përmbushjen e 5 prioriteteve për anëtarësimin ne BE është jo vetëm miratimi i këtij ligji në Kuvend, por edhe kalimi i akteve nënligjore dhe ndërmarrja e akteve apo masave të tjera institucionale, kryesisht nga institucione që janë sot prezente në këtë komision të nderuar: Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, fushat e veprimit të të cilëve në një mënyrë a në një tjetër, prekin dhe aktivitetin e pakicave kombëtare në Shqipëri. Ato, do ta bëjnë natyrisht këtë ligj më të zbatueshëm dhe do të sjellin efekte në praktikë.

Unë do të doja që mbi procesin e hartimit dhe përmbajtjen e projektligjit përsa i përket edhe elementëve që theksova në fjalën time hyrëse, t’ia kaloja fjalën me lejen tuaj zv. Ministres, e cila ka ndjekur në bazë të urdhrit të Kryeministrit të gjithë punën e grupit ndërinstitucional të punës dhe natyrisht, jam këtu t’ju garantoj disponibilitetin tim maksimal për çdo pyetje, shqetësim apo çështje për të cilat nevojitet një trajtim i mëtejshëm nga ana ime apo nga ana e institucioneve përgjegjëse që janë sot këtu me ne.
Faleminderit.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts