Botimi i edicionit të çmuar “Statutet e Shkodrës”, nga gjysma e parë e shekullit XIV me shtesat deri në 1469, do të prezantohet të premten në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Sipas njoftimit për shtyp të BK-së, parathënia e këtij botimi është përgatitur nga Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi.
Dorëshkrimi, i ruajtur në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, u gjet nga studiuesja Lucia Nadin në vitin 1995.
Publikimi i parë u bë në Itali në vitin 2002 me kontributin e historianëve dhe gjuhëtarëve dhe përkthimin e tekstit në gjuhën shqipe. Në vitin 2003, në Shqipëri u botua një edicion i dytë me përkthimin në gjuhën shqipe të eseve hyrëse.
Ky botim është një tekst legjislativ i hartuar në gjysmën e parë të 1300 që shoqëroi ngjarjet e qytetit të Shkodrës deri në rënien e tij në duart e turqve në vitin 1479.
“Kemi të bëjmë me një “monument të vërtetë të Shqipërisë mesjetare” vlera e të cilit, megjithatë, shtrihet edhe në historinë e bregdetit lindor të Adriatikut dhe marrëdhënieve të tij me Venecian dhe me fuqitë e mëdha në këtë zonë, në kuadër të ekuilibrave të mëdha ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare.
Sipas BK-së, ky botim ka gjithashtu përparësinë të jetë teksti më i vjetër legjislativ i prodhuar në territorin shqiptar deri më sot dhe është një dëshmi e qartë dhe e plotë e asaj Shqipërie bregdetare dhe e qendrave urbane. Shumë prej kapitujve të tekstit janë ende çuditërisht aktualë, veçanërisht kur ata flasin, për shembull, për respektin ndaj të huajit, për moralin e nevojshëm në menaxhimin e çështjeve publike, për mbrojtjen e vlerës së Lirisë.