Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, mbrëmjen e djeshme preku çështjen e importit të mbetjeve në seancën parlamentare.
Ish-kreu i LSI-së tha se të shumtë kanë qenë ata që kundërshtuan futjen e plehrave në Shqipëri.
Vasili gjithashtu paralajmëroi se në ditët që do të vijnë lajme për “llogari emrash të rëndësishëm, nga off-shore të largët”
“Po në këtë foltore është mbrojtur me zjarr që të fshiheshin plehrat e mos të hynin kurrë në Shqipëri. Kjo foltore këtu ka ngrënë shumë pëllëmba e grushta për të bindur edhe njërën palë edhe tjetrën duke na vënë në kushtet e një paradoksi antagonist, të pakuptueshëm, të pashpjegueshëm por me një motiv të fortë, i cili është një motiv i pisët, i shëmtuar, të cilin e ndjekin me shumë vëmendje.
Vënde mike, shërbime partnere, të cilët në muajt që vijnë do bëjnë që këtu të kenë lajme e ngjarje që do na duken shumë të vogla diskutimet e sotme. Do ketë edhe ngjarje që vijnë për llogari emrash të rëndësishëm, nga off-shore të largët, ku qofshin këto llogari të pisëta gjithëfarësh, të prodhuara me rrugë të tjera korruptive, të prodhuara nga plehrat apo jo, lidhur me mekanizma firmash fqinje apo jo, etj, që do kenë përgjigje të rëndësishme, të cilave s’do kemi ne vend t’i bëjmë as diskutime e demagogji, as politikën elektorale, por do jetë domein i drejtësisë për t’i ndjekur,” tha Vasili.