Rama ndan lajmin e mirë: Rritja ekonomike kalon nivelin e 4 %, jemi në drejtimin e duhur

0
206

 

Në një kohë kur historikisht në periudhat zgjedhore ekonomia ka shkuar në rënie, nuk ka ndodhur e njëjta gjë në këtë vit zgjedhor. Rritja ekonomike gjatë muajve prill-qershor ka kaluar nivelin e 4%-it, një lajm i mirë ky i bërë publik nga vetë kryeministri Edi Rama në takimin që zhvilloi me sipërmarrësit e mëdhenj. Një shenjë e mirë kjo, sipas tij, se qeveria po shkon në drejtimin e duhur.

“Lajmi i mirë, në tremujorin e dytë ekonomia ka kaluar kufirin e 4%, një shenjë tjetër kjo se po shkojmë në drejtimin e duhur”. Jo shumë euforik me këtë rritje, qeveria “Rama 2” synon ta çojë ekonominë në nivelin e 5% me qëllim që rritja të ndjehet direkt te xhepat e qytetarëve. “Kur thua nga 1 deri në dy me të vërtetë janë shifra por jo domethënëse përsa kohë kjo nuk ndjehet në mënyrën e tyre të jetesës ..por me 5% kjo bëhet e ndjeshme për të gjithë”

Për kreun e qeverisë, rritja ekonomike me 5% është plotësisht e mundur vetëm përmes pastrimit të rrugës që lidh biznesin me shtetin. Kjo do të arrihet me ministrinë e shtetit për sipërmarrjen, e cila do t’i mbrojë jo vetëm nga administrata e korruptuar por edhe nga vetë qeveria. “Miku më i fortë i çdo sipërmarrje të jetë qeveria përmes ministres së Shtetit për Sipërmarrjen qëllimi ulja e informalitetit dhe rritja ekonomike”, tha ai. Kreu i qeverisë ka kërkuar bashkëpunimin e biznesit për të luftuar të korruptuarit e administratës, të cilët i ka quajtur grabitqarë dhe parazitë. Ndërkohë që ka premtuar se për ta nuk do të ketë më vend brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

“Nëse cenohet sipërmarrësi, fjala duhet të shkojë në majën e piramidës shtetërore dhe në zyrën e kryeministrit. Mos i pranoni ata që vijnë me bluxhinse në derë për të kontrolluar kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Nuk kërkohet llogari me pantallona të shkurtra. Refuzoni dhe lajmëroni që këta persona u refuzuan. Detyroheni ju që të shpëtoni nga letrat që lënë njerëz me shapka. Nuk duhet të lejojmë që kjo lloj figure që përfaqëson shtetin të bëjë ligjin në oborret e kompanive tuaja”, tha Rama.

Kritikat e kryeministrit kanë qenë të ashpra edhe ndaj sektorit të policisë “gri” të cilën tashmë e ka nxjerrë jashtë funksionit. “Inspektoratët kanë marrë urdhër të lenë rehat njerëzit të marrin frymë, të mos vënë më gjoba. Kjo do vazhdoi derisa sa të bëjmë ristrukturim e plotë të tyre”, theksoi ai.

Kryeministri u premtoi sipërmarrësve më shumë lehtësira në veprimtarinë e tyre, dhe hapi i radhës është derregullimi.

“Ne sot kemi në Shqipëri sipërmarrje që ka mundësit financiare dhe ka filluar të figurohet ndryshe. Ashtu si kundër jemi të bindur që një proces që ne e kemi nisur dhe rregullimi i licencave certifikatave të lindjes që jua kërkojnë sa herë futeni në tender. Gjithë reduktimi i tyre do të sjellë një tjetër faktorë shtytës për ta çliruar sipërmarrjen nga shteti”. Mbështetje dhe bashkëpunim të drejtpërdrejt sipërmarrësve u ka premtuar edhe ministrja e shtetit, Sonila Qato.