I marrë në pyetje në burgun e Venecias, i riu kosovar nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve, ndërsa prite të pyeten në burgun e Bellunos Fisnik Bekaj, 25 vjeç dhe në burgun e Trevizos Dake Haziraj 26 vjeç. Ata akuzohen për përkrahje e propagandës xhihadiste si dhe pjesëmarrje në organizim me qëllim terrorizëm ndërkombëtar. Ndërkohë policia italiane ka bërë publike biseda të tjera të përgjuara mes anëtarëve të kësaj celule ku shprehen qartë qëllime e tyre terroriste. Në orën 3 të natës më datë 7 mars 2017 Arjan Babaj bisedon me anëtarët e celulës së tij e shprehet: “Për myslimanët është një detyrim të shkatërrojnë kishat e t’i kthejnë në xhami. Ne këtu jemi vetëm 5 veta. thotë ai. Por jashtë mund të jenë 50 mijë të tjerë. E me 50 mijë persona a e di çfarë bën? Jo Kosovën, por Europën shkatërron! Nëse të gjithë myslimanët do të ndiqnin besnikërisht konceptet e fesë së tyre, Europa do të ishte zhdukur”, shkruan ‘Corriere’.

Po ashtu, mësohet se në bazën e tyre në apartamentin prej 35 metra katror në lagjen San Marco të Venecias më datë 2 mars 2017, kosovarët bisedojnë mbi ngjarjet e fundit në Turqi. Më i vogli i grupit, në moshë minorene dhe i konsideruar nga hetuesit italianë si më i radikalizuar i grupit shprehet: “Jam shumë i kënaqur për c’ka ndodhi në Turqi, tani duhet të bëjmë diçka në San Marco”. Ndër të tjera, Fisnik Bekaj përpiqet të shpjegoj se Italia nuk ka gisht në këtë mes e se nuk po lufton kundër ISIS, por Arjan Babaj e kundërshton e thotë: “Ka të bëj dhe Italia, dhe Italia ka çuar ushtarë e mjete në mënyrë jo direkte pasi është pjesë e OKB ku marrin pjesë të gjithë shtetet”.

Më datë 22 mars 2017 pas sulmit terrorist në parlamentin e Londrës, anëtarët e celulës xhihadiste kosovare mblidhen në bazën e tyre e bisedojnë. Dake Hazizaj shprehet: “E patë çfarë ndodhi në Londër? I vranë 2 ose 3 vetë e u plagosën 12-13 të tjerë, E bëri njëri me mjekër”. Fisnik Bekaj përgjigjet: “Sa mirë ja ka bërë”. Përgjimet telefonike vërtetojnë se grupi i kosovarëve ishte i gatshëm të nisej drejt Sirisë. Arjan Babaj jepte orientime operative se si mund të mbërrinin në vendet e luftës. “E kam studiuar mirë thotë ai, fillimisht mbërrin në Egjipt, nga Egjipti është e thjeshtë pasi ka mjaft korridore për të mbërritur në fushë betejë. Por në Egjipt është e vështirë të mbërrish duke u nisur nga Kosova”. Kosovarët frekuentonin 3-4 herë në javë palestrën në qendër të Venecias, ndërsa në banesën e tyre u gjetën dhe mjaft video stërvitje të ushtarëve të ISIS.
(ed.me/BalkanWeb)