Fjala e plotë e Rigerta Lokut, gruas nga Mirdita e cila tronditi të gjithë duke sjellë zërin e vërtetë dhe të munguar në sallën e parlamentit.
Ajo solli zërin e Kristinës, zërin e mijëra fshatarëve që nuk kërkojnë shumë nga shteti, vetëm ujë e rrugë.
Kërkojnë kushtet për të jetuar.
Unë kam mbaruar studimet e larta në Romë, në një nga universitetet më të mira në Itali, “La Sapienza”. Kam mbaruar master shkencor për marrëdhënie ndërkombëtare me rezultate shumë të mira.
E kthyer në Shqipëri në provincën time u gjenda duke administruar një tufë dhishë prej 350 krerësh.
Në fillim kur shkova në Itali ideja ishte që të vija këtu e të merrem me kafshën politike, por fati dhe provinca më krijoi mundësitë që unë të merrem me kafshën zoologjike.
Pas 7 vitesh eksperiencë, sakrifica familjare e personale unë e im shoq nuk jemi penduar, qoftë dhe për një minutë të vetëm që jemi fshatarë, blegtorë dhe që kemi bërë këtë gjë të vogël në Mirditën e madhe.
Kam shumë emocioni, ndjej mbi zemër dhe shpatulla peshën që kjo foltore të lëshon mbi shpinë.
Por unë do të iki prapë atje në provincën time. Do të iki, dhe pesha e përgjegjësia do të bjerë mbi këta të nderuar deputetë. Urojmë dhe shpresojmë për të mirën e fshatit. Për të mirën e qytetit, të Shqipërisë europiane që këta deputetë që rrinë të ulur këtu të na nderojnë, ne dhe veten e tyre.
Fshati ka nevojë të rilindë, rimëkëmbet, rianimohet. Le ta quajmë si të doni, fshati ka nevojë për kapital njerëzor, ti shembim rrugët e braktisjes dhe të ndërtojmë rrugët e rikthimit.
Në fshat gjithashtu mbijetojnë esencat e mrekullueshme të një jetë të vështirë. Zhvillimi ekonomik dhe social i njëtrajtshëm është thelbësor për vendin tonë.
Mbështetje dhe forcim i atyre mikroekonomive rurale që modestisht prodhojnë punësim. Fragmetizim të organizuar duam ne. Inovacion dhe informacion, pasi informacioni është bazë e zhvillimit të mëtejshëm. Duhet informacioni të vijë atje tek stalla, jo unë të vij në parlament për të marrë informacion.
Le të vishemi bukur sa të duam, të prodhojmë këpucë, biçikleta, industri, makina avionë, sa të duam ne, por pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara.
Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk zhvilloheni kurrë!
Zhvillimi i vjen Shqipërisë nga periferia!
Atje nga Mirdita ime zhvillohet Tirana juaj dhe jo nga Tirana juaj zhvillohet Mirdita ime!
Se çfarë është bërë deri sot për fshatin po e shohim përditë. Se çfarë do të bëhet do ta shohim në vijim.
Unë jam aty! Nuk shkoj asgjëkundi! Pres! Por në mënyrë aktive. Nuk qëndroj, punoj!
E kush ka në rajon e në Europë kultura e tradita më të bukura për ne ti mbështesim e promovojmë, jo me fjalë por me vepra.
Agrikultura, Agroturizmi janë pika të forta të zonave rurale që kërkojnë bashkëpunim për t’i mbështetur e promovuar.
Diçka ka nisur të lindë!
Infokulla ka nisur të rritet dhe atje tek unë, por duhet ta ndihmojnë në çdo hap.
Turizmi si vlerë lokale e rajonale për të promovuar Shqipërinë rurale si thesar i fshehur që duhet zbuluar, bashkëpunim e durim për të promovuar cilësitë, traditat, historinë, ushqimin e fshatit. Tradita e përzier me zhvillim e inovacion do të ishte për ne një përzierje jetësore.
Ta mbështesin fermerin e ri që me shumë vështirësi e sakrifica çon përpara fermën.
Ta mbështesin fshatarin që ndoshta nuk ka mundur të braktisë fshatin e tij, ose ndoshta nuk ka dashur ta braktisë atë vend, ato fshatra ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën më fantastike të mundshme.
Ejani ta shikoni! Ejani në fshat! Se nuk ka vend ku hahet më mirë se në fshatrat tanë.
Në doni bukë, kripë e zemër të mirë ejani në fshat!
Në doni qetësi e dashni ejani në fshat!
Do ju lutesha të mos vini me një makinë të vogël, por të vijë me një fuoristradë, sepse fshatrat, sidomos ato që nuk janë në akset rrugorë kryesorë, nuk shkon dot makina.
Nuk shkon dot makina.
E atje ku nuk shkon makina nuk shkon asgjë.
Nuk shkon as jeta!
Fshatrat, sidomos ata të strukturit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë.
Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe keni dhënë zhvillim!
Nuk kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë!
Unë kam ardhur këtu që të tregoj pse jo Gertën, por kam ardhur të sjell edhe Kristinën.
Kristina është një bashkëfshatare e imja.
Besoj se gjithësecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë e ka nga një Kristinë në fshat.
Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nda dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina.
Ngrihet para diellit dhe ulet shumë pas tij.
Ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin, çon fëmijët në shkollë ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë dhe ajo i përcjell në këmbë.
Shet qumështin me kokakolat e lara me kujdes, sepse ky është fshati. Shet ato 20 kokrra vezë, 3- 4 kile rrush, domatë jeshile, ato që kanë mbetur nga kopështi i mbjellë me lakra të zëza dhe presh që ti ketë rezervë për dimër.
Shet ashtu Kristina, e ulur në rrugë.
Dhe po ti thoni Kristinës çfarë do ti që shteti të të japë ty, ajo me shumë modesti do të thotë: Unë dua ujë dhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina. Nuk kërkon asgjë shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë.
E unë do ti shtoja Kristinës dhe ujë, rrugë, shkolla
Ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase.
Ujë, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, e miq e shok
E nëse ju do ta pyesni Kristinën se për kë do të votoje?
Kristina do të thotë unë votoj atë që më sjell ujë dhe rrugën.
Por Kristina e shkretë që kur ishte bijë, themi ne atje në fshatin e të atit dhe tani që është grua në fshatin e të shoqit,
Kristina votoi e rivotoi ata që rrugën nuk ia sollën KURRE!
Kjo është Kristina ime!
Kjo është fshatarja ime!
Edhe nëse ju do të pyesni ku është burri i Kristinës ai ka punuar për ca kohë në kantieret e RILINDJES URBANE, po ne presim që FSHATI TE RILINDE
Atë presim ne!
Kur fshatari ti kthehet fshatit të tij atëherë, politika ka bërë diçka madhështore për fshatin.
Nuk është një proces i lehtë dhe i shpejtë por dhe ne nuk shkojmë asgjëkundi. Duke ndihmuar fshatin dhe Shqipërinë. Ka plot vështirësi fshati e Shqipëria por kush thotë se ky vend nuk bëhet KURRË e vret fshatin dhe Shqipërinë!
Na vret ne njëmijë herë!
Ky vend do të bëhet se i ka të gjitha mundësitë për tu bërë. Dhe ne jemi këtu.
Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë pak llafe e shumë punë. Të fortë e optimistë se kush mbjell e mbarështon siç bëjmë ne në fshat e ka forcën e optimizmin në çdo punë të tij. Askush nuk mbjell nëse nuk e di se çfarë do të korrë dhe askush nuk rrit e mbarështon nëse nuk e di se do të rrisë kecat e vegjël.
Duke u bazuar në eksperiencën time modeste para jush ju them që fshati nuk ka as politikë, nuk njeh parti, nuk ka opozitë, as pozitë.
Ne atje në fshat punojmë me dorën e djathtë e këmbën e djathtë, por zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, E nëse ky parlament do të bëjë mirë atë për të cilin është zgjedhur të bëjë duhet që secili prej organeve të bëjë funksionin që i përmet.
Ne atë presim!
Unë, ne kërkojmë bashkëpunim e mirëkuptim. Politika agrare specifike afatshkurtra dhe afatgjata.
Ujë vaditës, dhe ujë pirës, kredi të buta, moderim të çmimit të punimit të tokës dhe farërave.
Subvencione e mbështetje, por kërkojmë dhe informacion.
Atje ku nuk shkon rruga informacioni e ka shumë të vështirë të shkojë. Kërkojmë mbështetje e thjeshtësi. Ja ku jemi. Çfarë duhet të bëjmë ne nga fshati?
Çfarë duhet të bëjmë ne për të pasur politika rurale me një impakt real pozitiv?
Çfarë na duhet të bëjmë ne që të jemi shembull i turizmit, kulturës rurale në rajon por dhe më gjerë?
Çfarë duhet të bëjmë ne që të ndihmojmë vendin tonë biologjikisht dhe europian të bëhet politikisht europian?
Ja ku jemi. Problemet i njohim të gjithë. Të gjejmë zgjidhjen së bashku me shumë modesti, dashuri për këtë tokë, për Shqipërinë rurale, për Shqipërinë urbane, Shqipërinë europiane ne fshatarët jemi në dispozicionin tuaj.