Thursday, April 18, 2024
HomeKulturëPREMIERË BOTËRORE NË TIRANË /Angjelin Preljocaj: Shqipëria si shtëpi dhe baleti natyrë-mort

PREMIERË BOTËRORE NË TIRANË /Angjelin Preljocaj: Shqipëria si shtëpi dhe baleti natyrë-mort

-

 

 

Me një shqipe të ruajtur prej herët, mes dialektit gegë e fjalëve frëngjisht, mjeshtri i baletit bashkëkohor, franko-shqiptari Angjelin Preljocaj foli për premierën e tij botërore, që e nis turin nga Tirana: “Trait d’Union & Création”.

“Sa herë vij këtu jam si në shtëpi, por si Shqipëria si Franca më kanë dhuruar shumë. Për këtë ndjehem sikur të kisha dy burime brenda shpirtit, secili kërkon dhe gjen rrugën për t’u shprehur brenda meje. Kur kthehem këtu jam shumë i gëzuar, sepse është diçka e rrënjosur, edhe është shumë e vërtetë. Jo më kot e kam zgjedhur këtë pjesë. Baleti flet për kohën që kalon, për jetën vdekjen dhe pasionin”.

Me një karrierë të çmuar ndërkombëtare, koreografi me origjinë shqiptare e nis nga kryeqyteti shqiptar udhëtimin e premierës së veprës së tij më të fundit me titull “Still-life” (“Natyrë e qetë”).

“Jam shumë i prekur, që krijimin tim të ri, të cilin vetëm një javë më parë balerinët e interpretuan në studion ku unë krijoj çdo ditë, vjen në Tiranë. Titulli, mund të them se është një lojë fjalësh, një ‘natyrë mort’, por që brenda saj zhvillohet edhe jeta. Ideja e tij është të tregojë se sa i vogël është njeriu, sa e vogël është jeta tij brenda asaj të madhes, brenda universit. Baleti flet për kohën që lëmë pas, për pasionin, jetën, vdekjen, por edhe për kotësinë, një nga karakteristikat e njeriut postmodern”. Nga Pallati i Kongreseve, në një bashkëbisedim krejt miqësor me gazetarët koreografi i “Preljocaj Balet”, kompanisë së krijuar nga ai dhe e njohur ndërkombëtarisht, tregon se në trupën e tij ka tashmë edhe një shqiptar tjetër, Redi Shtyllën. “E zgjodha se m’u duk një kërcimtar shumë i madh mbi të gjitha, edhe pastaj kur e pashë që ishte edhe shqiptar: Thashë që duhet ta marr patjetër (qesh)”. Shfaqja vjen me ndihmën e Ambasadës së Francës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë sot më 4 tetor 2017 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

PROGRAMI

Premiera ndërkombëtare e krijimtarisë së tij të re që deri dje mbahej “sekret”, shoqërohet nga rimarrja e duo-s mashkullore të vitit 1989 “Un trait d’Union”, një kërcim trup me trup “poetik dhe pasionant” i shkruar mbi muzikën koncertore të J.S. Bach dhe i interpretuar nga Glenn Gloud. Koreografi zbulon se pjesa e parë e programit është me dy kërcimtarë. “Është një balet i krijuar në vitin 1989, kështu që është diçka e vjetër. Krejt e kundërta e ‘Dasmës’ që ju e keni në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vijmë këtu me një krijim shumë të ri. Edhe unë jam shumë lumtur edhe i prekur, që hera e parë që do të shfaqet ky krijim jashtë pavionit të zi, vendi im i krijimit, është pikërisht në Shqipëri. Baleti titullohet ‘Stil life’ edhe zgjat 50 min. Në anglisht ‘Stil life’ do të thotë një tablo e natyrës së vdekur, natyrës së qetë. Por më pëlqen loja e fjalëve që kemi të bëjmë me kërcimtarë që lëvizin edhe i japin jetë skenës, prandaj e quajta ‘Still life’, që është fjala jetë brenda”. I pyetur për baletin e ardhur nga 1989-a, ai tha se “ky balet më ka pëlqyer dhe e kam dashur shumë, prandaj kam dashur që të vazhdojë që të jetojë dhe të përcjellë edhe te gjeneratat e reja atë emocion që ndiej unë brenda nëpërmjet këtij baleti. Prandaj e kam rishfaqur disa herë. Pra është një balet që e kam në kundërpeshë me baletin ‘Dasma’, me muzikën e Stravisnskit”. Ajo çfarë ka dashur të përcjellë nëpërmjet lëvizjeve edhe jetës në skenë është vaniteti që ne kemi. “Është një balet, që flet për kohën që kalon, jetën, vdekjen dhe pasionin”.

 

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts