Kundër Lihtenshejnit dhe Maqedonisë ai ishte i vetmi sulmues i disponueshëm për Christian Panucci-n në sfidat e Kombëtares, por e njëjta situatë përsëritet për Armando Sadikun pas dëmtimit të Cikalleshit edhe në dy takimet e fundit që luhen të premten dhe të hënën me Spanjën dhe Italinë.
Në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e sotme bomberi nuk e ka fshehur dëshirën e madhe për të shënuar në këto dy takime si dhe pretendon se kombëtarja është e aftë të marrë pikë përballë dy kundërshtarëve “big” që kanë sunduar futbollin europian dhe atë botëror.
Problemi me tifozët te klubi i Legia Varshavës
“Po, është e vërtetë që tifozët e Legias u mërzitën shumë pas ndeshjes derbi me Leç Poznan. Por është ekzagjeruar nga mediat, disa gjëra nuk janë të vërteta. Kemi pasur një takim me tifozët dhe asgjë më shumë se kaq. Ata u mërzitën, sepse, siç e thashë, është një derbi, është një ndeshje “për jetë a vdekje” thjesht kaq.”
Vështirësitë ndaj Spanjës
“Janë lojtarë të një klasi tjetër, luajnë në ekipet më të mira në botë. Ne i respektojmë. Ndeshjen e parë nuk isha e pashë nga televizori, por besoj që do të jetë e vështirë, si të prekësh topin, si në duele. Por, nëse ne e tregojmë veten si në Europian, si me Izraelin, ne gjithmonë ndaj ekipeve të mëdha luajmë mirë. Po të luajmë si grup mund t’ia dalim edhe këtë herë.”
Kujt do donte t’i shënonte
“Do të më pëlqente t’i shënoja të dyja këtyre skuadrave. Por, nëse luajmë si grup ashtu si në ndeshje të tjera të rëndësishme si kjo do të arrijmë t’i krijojmë vështirësi kundërshtarëve dhe të marrim rezultat. Unë shpresoj të shënoj, do të ishte mjaft bukur për mua personalisht dhe nëse do të ndihmoja ekipin të merrte një pikë do të ishte perfekt.”
Mundësitë për të lënë gjurmë
“Kur vij në ekipin Kombëtar mendoj gjithmonë se do të vij dhe të lë gjurmë në çdo ndeshje. Në ndeshjet ku kam munguar për arsye dëmtimi, qaj përbrenda meje sepse nuk jam në fushë. Në çdo ndeshje kërkoj të lë gjurmë dhe të bëj diçka që askush nuk e ka bërë. Në Kombëtare jam më të mirën time, edhe kur nuk jam në formën më të mirë mundohem të lë zemrën në fushë.”
Kontaktet me De Biazin
“Nuk është se kam pasur ndonjë kontakt, thjesht i kam dërguar një mesazh, e kam uruar për detyrën e re. Nuk kam pasur ndonjë komunikim të gjatë. Para 2-3 ditësh më ka shkruar një mesazh, në qoftë se fitoni ndaj Spanjës, do t’iu bëjnë heronj në Itali. ”
Mungesa e presionit ndaj Spanjës
“Në te gjitha ndeshjet kemi dhënë me të mirën tonë. Fat i keq, që na qëlloi të kemi në grup këto dy skuadra të mëdha. Do të jenë dy ndeshje, ku më shumë do të përgatitemi për eliminatoret e Europianit. Nuk kemi presion dhe e dimë që kemi kundërshtarë shumë të fortë përballë. Thjesht duhet të shohim lojën tonë. Nuk shohim problematikën e Spanjës, që ka shumë lojtarë dhe mund të zëvendësojë këdo që mungon.”
Për Christian Panucci-n
“Trajneri ka ardhur i ri, ne ishim mësuar me De Biazin. Ai na njihte shumë mirë. Ndërsa me trajnerin e ri edhe në stërvitje të gjithë lojtarët mundohen të japin 100 për qind. Trajneri ka futur edhe një frymë të re, na duhet pak kohë të ambientohemi, të na njohë të gjithëve mirë. E rëndësishme është të japim më të mirën, ndërsa trajneri do të provojë të eksperimentojë si për formacionin si në grumbullime që ti ketë idetë më të qarta. Ti japim pak kohë dhe të shpresojmë që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur.”