Wednesday, July 17, 2024
HomeAktualitetLehtësimi i burokracive - Rama, qytetarëve: Ja lista e dokumentave që s’ju...

Lehtësimi i burokracive – Rama, qytetarëve: Ja lista e dokumentave që s’ju duhen më në letër

-

Në një konferencë për mediat nga Kryeministria, kreu i qeverisë Edi Rama bëri një përmbledhje të lehtësirave që u janë krijuar qytetarëve përmes reduktimit të dokumentave në letër.

Rama listoi me rradhë dokumentat që nuk do të printohen më nga qytetarët por do të mundësohen nga zyrtat e shtetit.

Rama: Dëshiroj të bëj një përmbledhje të masave të marra deri sot lidhur me një nga zotimet kryesore por dhe një nga rrugët kryesore që janë hapur për të çliruar sa më shumë energji pozitive dhe nxitur rritjen ekonomike që lidhet me uljen e peshës së burokracisë.

Sot jemi në një situatë të ndryshme nga ku ishim pak ditë më parë. Ka numër të konsiderueshëm letrash që përkthehen në korruptim, pritje, shpenzime që nuk duhet tu kërkohen më qytetarëve nga shteti duke filluar nga certifikata personale dhe familjare.U bëj thirrje qytetarëve që të refuzojnë çdo kërkesë të çdo zyre për certifikatë në letër dhe të kërkojnë aty në sportel që cilido që u kërkon një gjë të tillë ta bëjë vetë. Certifikatat familjare dhe personale janë në sistem dhe nga sistemi zyrat e shërbimit të shtetit duhet ti nxjerrin pa asnjë qindarkë në kohë reale për t’iu dhënë qytetarëve shërbim. Vërtetimet e pensionit po ashtu.

Pensionistët nuk kanë më arsye të bëjnë asnjë metër rrugë dhe të humbasin asnjë sekondë rradhë për të marrë vërtetim pensioni. Karta e shëndetit po njësoj, konfirmimet për gjendjen aktive të mjetit, konfirmimet për rifitimin e lejes së drejtimit, vërtetimet për lejen e drejtimit, kopje e kartelës së pasurisë, kopje e kadastrës, vërtetim i pronësisë, janë të gjitha letra, dokumenta që deri dje u nxinin jetën qytetarëve me shpenzimet mbi dhe nën dorë. Sot qytetarët duhet të refuzojnë çdo zyrë, çdo nëpunës dhe ta denoncojnë nëse ua kërkon këto të printuara me vete.

Rama tha se edhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka urdhëruar të gjithë institucionet e varësisë që të mos kërkojnë më dokumentat e mëposhtme:

-Certifikatën e regjistrimit në QKB, përfshirë dhe niptin

-Ekstraktin historik të kompanisë

-Vertetimin për pagimin e kontributeve nga subjekti

-Vërtetimin për përgjegjësitë tatimore

-Vërtetimin për regjistrin e investitorit

-Vërtetimin për pagim detyrimesh

-Vërtetim për individë të paregjistruar

-Vërtetim statusi aktiv, pasiv, përfshirë datën

-Vërtetim xhiro për tre vitet e fundit

-Vërtetim të kontributeve për individin

-Dëshmi penaliteti dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore të individit apo subjektit përkatës që përfaqëson një sipërmarrje dhe të gjitha llojet e dokumentave që gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile, të gjitha janë të anulluara.

Rama tha se i gjithë dokumentacioni do të sigurohet nga vetë zyrat e shtetit ku qytetarët marrin shërbimin përmes të dhënave online në sistemin i-Albania.

Rama: “Për të gjitha është shteti, administrata që i garanton përmes sistemit i-albania. Kjo do të thotë 56 vjet pritje në harkun e një viti. Konsumohen nga qytetarët dhe kompanitë për të marrë vërtetime, dokumenta. Vetëm vërtetime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë 275 702 në një vit, referuar vitit të shkuar. Ekstrakte nga QKB, 152 237. Autorizime nga Dogana 9222.Sot që flasim nuk ekzistojnë më për qytetarët dhe kompanitë”.

/Oranews.tv/

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts