Tuesday, April 16, 2024
HomePolitikëBerisha: Pas 27 vitesh pluralizëm politik, në qeveri janë pasardhësit e Hitlerit...

Berisha: Pas 27 vitesh pluralizëm politik, në qeveri janë pasardhësit e Hitlerit shqiptar

-

 

 Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot në lidhje me 70-vjetorin e ekzekutimin e 15 deputetëve të parë opozitarë. Ai shkruan se pas 27 vitesh pluralizëm në qeveri janë pasardhësit e Hitlerit shqiptar të pasluftës dhe bllokmenëve mizor, duke përmendur emrin e kryeministrit dhe kreut të Kuvendit.

Berisha kërkon zotim për të larguar nga pushteti pasardhësit e xhelatëve të parlamentarëve të lirisë.

STATUSI I BERISHËS
Sot 70-vjetori i ekzekutimit të parlamentarëve, martire të Lirisë!
Të dashur miq, më 10 tetor të vitit 1947, me firmën e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të Pasluftës, u ekzekutuan për bindjet dhe idealet e tyre politike grupi i deputetëve të opozitës shqiptare dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Këta burrat të shquar të kombit, elitë e tij intelektuale dhe politike vendosen në kushte të një terrori të jashtëzakonshëm të themelojnë opozitën e parë të vërtet shqiptare, duke flijuar në themel të saj jetën e tyre. Pas këtij akti barbar të regjimit, të bazuar në një farsë gjyqësore, që zbatoi vendimin direkt të Enver Hoxhës dhe Byrosë së tij Politike, në Shqipëri do vendosej diktatura komuniste më e egër e më staliniste në Europë.

Deputetët e opozitës së parë shqiptare dhe bashkëpunëtorët e tyre, themelues të pluralizmit politik në Shqipërinë, që kaloi nga pushtimi nazifashist në pushtimin serbo-shqiptar komunist, vërtet u ekzekutuan 70 vite më parë por ata u përjetësuan në idealet e lirisë, për të cilat bënë sakrificën sublime. Këto ideale do ngadhënjenin përsëri në Shqipëri me revolucionin demokratik të dhjetorit 1990.

Sot, pas 27 vitesh pluralizëm politik, në qeveri janë pasardhësit e Hitlerit shqiptar të pasluftës dhe bllokmenëve mizor, Edvin Kristaq Rama dhe neobllokmenë të tjerë. Kurse parlamentin e vendit e kryeson Gramoz Ruçi, njeriu që ka mbajtur në vitin e fundit të diktaturës postin e ministrit të sigurimit të shtetit, policisë sekrete terroriste të Enver Hoxhës. Pra ekzakt atë post që mbante Koçi Xoxe, xhelati hoxhist i deputetëve të opozitës së parë të vendit dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Prandaj dhe sot, duke shprehur mirënjohjen më të thellë dhe përulur me nderimin më të madh para veprës së pavdekshme të Riza Danit, Selaudin Totos, Shefqet Bejes, Enver Sazanit, Kolë Kuqalit, Sheh Ibrahim Karbunarës dhe të gjithë deputetëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për sakrificën sublime, që bënë për lirinë e shqiptarëve, le të zotohemi ne që të largojmë sa më shpejt nga pushteti pasardhësit direkt të xhelatëve të parlamentarëve të lirisë. Nder përjetë martirëve të pluralizmit politik shqiptar!

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts