Friday, April 19, 2024
HomeKulturëPërkujtohen në Rumani shkrimtarët shqiptarë.

Përkujtohen në Rumani shkrimtarët shqiptarë.

-

Përkujtimi dhe nderimi ndaj figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe në veçanti të përfaqësuesve më të spikatur të letërsisë shqipe përbën tashmë një traditë të vyer në jetën kulturore të komunitetit të shqiptarëve të Rumanisë. Kjo plejadë e papërsëritshme e përbërë nga intelektualë e a(r)tdhetarë të mirënjohur, të cilët, jetuan e punuan për Shqipërinë, duke zgjeruar dhe forcuar lidhjet e saj me vendet evropiane, si Naum Veqilharxhi, Mitrush Kuteli, Gjergj Bubani, Lasgush Poradeci, Aleksandër Stavre Drenova etj., kanë qenë dhe mbeten promotorë të pasurimit dhe modernizimit të kulturës së shkuar shqipe dhe integritetit të saj, në kapërcyell të dy shekujve dhe epokave të rëndësishme historike për vendin tonë. Vlerësimi i vazhdueshëm për këto personalitete epokale të letërsisë dhe mendimit shqiptar mbetet në epiqendrën e veprimtarisë së Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”. Në këtë frymë që mbizotëron prej vitesh në këtë vend, më datën 3 tetor në sallën ‘Perpessicius’ të Muzeut Kombëtar të letërsisë rumune, në Bukuresht, u organizua një simpozium me rastin e 70-vjetorit të vdekjes të poetit dhe patriotit Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni) (1947-2017). Veprimtaria u organizua nga shoqata “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë” dhe Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune. Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i ALAR, dr. Radu Cosmin Savulescu, i cili theksoi përpos të tjerash se, viti 2017 është viti i plot përvjetorëve të personaliteteve të shquar, që aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me Rumaninë. “Mbushen 70 vjet nga vdekja e Asdrenit, 30-vjetori i ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit, 50-vjetori i ndarjes nga jeta të Mitrush Kutelit si dhe 220-vjetori i lindjes së Naum Veqilarxhit. Ky simpozium shkencor i sotëm është një gjest homazhi për të gjithë këto personalitete, që kanë kontribuar për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare, për emancipimin e popullit shqiptar, për zhvillimin e letërsisë shqipe, por edhe për forcimin e urave të miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij rumun. Në kumtesën e tij, shkrimtari dhe albanologu i shquar, Marius Dobrescu, foli për jetën e poetit, shortin e tij tragjik, për veprën poetike me theks të fortë patriotik, por edhe për poezinë meditative dhe atë të natyrës. “Asdreni ka zënë vend në historinë e letërsisë shqipe, por edhe të historisë së Shqipërisë, sepse është ai që ka shkruar tekstin e Himnit Kombëtar Shqiptar, me muzikën e kompozitorit rumun, Ciprian Porumbescu. Përpos argumenteve shkencore, Dobrescu solli edhe një fakt më pak të njohur për publikun: “Në vitet 1970, Ceausescu i kërkoi Shqipërisë që të heqë dorë nga himni i saj të kompozuar nga Porumbescu, duke dashur ta përdorë atë si himnin e Rumanisë, por shqiptarët e refuzuan. Himni i Shqipërisë përdoret pa ndërprerje prej 105 vjetësh!”. Studiuesi dhe kritiku letrar, dr. Luan Topçiu, në kumtesën e tij foli për vendin e Asdrenit në letrat shqipe dhe për marrëdhëniet e poezisë së Asdrenit me poezinë rumune. Sipas dr.Luan Topçiu, me Asdrenin fillon periudha moderne e poezisë shqiptare dhe gjen vazhdimin e saj në vjershat e Lasgush Poradecit.  Asdreni mund të konsiderohet si një udhëçelës drejt letërsisë moderne dhe si një hallkë e rëndësishme në evolucionin e etapave të domosdoshme të zhvillimit të letërsisë. Gjithashtu, si njohës i dy letërsive, ai trajtoi edhe problemin e ndikimeve të mundshme të poetit nga poezia rumune, në tematikë, në fjalorin poetik, në përdorimin e skemave të reja kuptimore të fjalëve, në teknikat poetike, në frymën e saj etj. I ftuar nga Tirana, shkrimtari dhe studiuesi dr. Ermir Nika, në kumtesën e tij theksoi rolin e krijimtarisë letrare të Asdrenit si urë lidhëse mes dy kulturash, shqiptare dhe rumune. Ai vë theksin në lidhjet e brendshme të letërsisë shqipe me folklorin e jugut të Shqipërisë, me poezinë e Naim Frashërit dhe veçanërisht me atë të Çajupit. Në trajtesën e tij dr. Ermir Nika theksoi edhe pasurimin në pikëpamje të formës, të vargëzimit, të metrikës, të formave të shprehjes, cilësi që do të ndihmonin në modernizimin e poezisë shqipe.
Në fund të simpoziumit, për të pranishmit u luajtën pjesë me kitarë klasike nga Daniel Bertesteanu dhe u kënduan disa pjesë të mirënjohura nga muzika lirike shqiptare nga Florentina Barbu, të cilët morën vlerësimin dhe duartrokitjet e publikut pjesëmarrës.

 

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts