Sunday, February 5, 2023
HomePolitikëRama: Italia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë Shqipërisë.

Rama: Italia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë Shqipërisë.

-

 Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun italian, Paolo Gentiloni, kryeministri Edi Rama deklaroi se Italia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë tha se shteti fqinj ka ndihmuar në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

“Para së gjithash dua të them se ishte jo vetëm kënaqësi, si gjithmonë, por edhe një nder i madh që u prita sot në këtë vend fantastik që rezervohet për miq të veçantë. Kjo gjë e bën akoma më emocionues këtë moment dhe akoma më domethënëse këtë vizitë të parë jashtë shtetit, pasi qeveria e re filloi punën. Natyrisht, Italia nuk është thjesht dhe vetëm një partnere strategjike për Shqipërinë, por edhe një vend që e ndjejmë shumë pranë në të gjitha pikëpamjet dhe që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë Shqipërisë në rrugën e saj të vështirë të ndryshimeve dhe të kalimit nga një diktaturë e çmendur, në një shtet të së drejtës europiane. Dua të nënvizoj rëndësinë e madhe që ne i japim këtij partneriteti strategjik, edhe sepse Italia nuk është e rëndësishme vetëm nga pikëpamja e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në pikëpamjen rajonale ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe takimi ynë në Trieste qe vërtet një moment për t’i dhënë një shtyse të re këtij Procesi”, tha Rama.

Mes të tjerash ai shtoi se Italia është një partnere kryesore në rrugën për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt. “U dua ta falënderoj publikisht Kryeministrin, mikun fort të dashur Paolo, për ndihmën në fushën e sigurisë, veçanërisht në luftën kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit dhe fitoren mbi këtë fenomen, por edhe në fushën e drejtësisë, veçanërisht për të çuar përpara një reformë të drejtësisë që është një nga shtyllat për Shqipërinë e së nesërmes, por edhe për pranimin në Bashkimin Europian. Nuk ka dyshim që rezultati spektakolar, që do të bëhet i ditur në ditët e ardhshme, edhe falë vizitës të Ministrit italian të Punëve të Brendshme, kundër kultivimit të kanabisit është një ndër rezultatet e shumta të këtyre viteve, që mund të konsiderohen si fryt i bashkëpunimit dhe ndihmës së Italisë. Në pikëpamjen ekonomike nuk ka dyshim që është bërë shumë, por ka një potencial shumë të madh për të bërë akoma më shumë dhe jam i bindur se në bazë edhe të takimit të sotëm dhe të asaj që diskutuam mund të nisim një rrugë të përbashkët për të bërë në 2018-ën, një hap përpara dhe për të parë më shumë drejt ndërmarrjeve të mëdha italiane, të cilat mund të marrin një shembull shumë të mirë nga të gjithë ata që operojnë tashmë në Shqipëri. Besoj që edhe në bashkëpunimin në fushën e hekurudhave dhe të energjisë së rinovueshme ka shumë për të bërë edhe me agjencitë e mëdha publike italiane”, theksoi ai.

Po ashtu, Rama nuk harroi pa përmendur faktin se Italia ka bërë shumë sa i takon integrimit të Shqipërisë në BE.

“E fundit, por jo nga rëndësia, s’ka dyshim që dua ta mbyll me atë që Italia ka bërë dhe bën për Shqipërinë në nivel europian dhe përsa i përket mbështetjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që të jenë pjesë e kësaj familjeje, sepse Italia ka qenë gjithmonë dhe mbetet mbrojtësi më i madh i Shqipërisë në selinë europiane. Ne besojmë fort se kemi bërë gjithçka për të hapur negociatat, gjithçka që ka të bëjë me atë që na u vu përpara si detyrë shtëpie dhe jam i sigurt se me ndihmën e Italisë në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera, gjërat që janë bërë, mund të marrin rëndësinë e duhur, që ta çojmë akoma më tej këtë proces dhe të hapim negociatat për pranim vitin tjetër. Për këtë, Italia meriton vërtetë gjithë falënderimet tona dhe nga ana tjetër besoj se ky qëndrim kaq miqësor është edhe falë faktit që shumë shqiptarë sot kontribuojnë në ekonominë italiane, kontribuojnë në pjesëmarrjen në shoqërinë italiane si qytetarë të mirë dhe të zotë të Italisë.
Faleminderit!”, përfundoi Rama.

Ndërkohë, që në nisje të fjalës së tij Gentiloni i uroj suksese Ramës për rikonfirmimit të mandatit të tij të dytë.

“Mirëdita të gjithëve! Zoti Kryeministër, i dashur Edi, besoj se ky takim është vizita e parë dypalëshe jashtë shtetit e Kryeministrit shqiptar, pas rikonfirmimit dhe përfitoj nga rasti ta përgëzoj për këtë rikonfirmim. Sigurisht, Shqipëria dhe Italia nuk janë vetëm dy vende të afërt, por janë të lidhur nga një miqësi e thellë, të lidhur nga marrëdhënie të jashtëzakonshme kulturore. Kryeministri Rama e njeh shumë mirë Italinë, flet gjuhën italiane. Ne e njohim realitetin shqiptar si fqinj të jashtëzakonshëm.
Diskutuam sesi mbi bazën e këtyre marrëdhënieve si fqinj të shkëlqyer mund të përforcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe. Në planin kulturor, për ne është shumë e rëndësishme që njohja e gjuhës dhe kulturës italiane, që në Shqipëri është aq e fortë, të konsolidohet. Në planin ekonomik, Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Kemi një shkëmbim prej 2.3 – 2.4 miliardë eurosh mes dy vendeve tona. Kemi më shumë se 600 ndërmarrje italiane që punojnë në Shqipëri. Diskutuam mbi mundësinë për t’i intensifikuar akoma më shumë këto marrëdhënie. Italia importon mallra të shumta nga Shqipëria. Mund të bëjmë më shumë, edhe përsa i përket pranisë së ndërmarrjeve italiane, të mesme e të mëdha, në vend.
Gjithashtu kemi një bashkëpunim mjaft aktiv në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe policive kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të lëndëve narkotike, kundër rreziqeve për sigurinë si pasojë e terrorizmit. Dhe një bashkëpunim mes sistemeve tona të drejtësisë, për të rritur cilësinë e këtyre sistemeve. Ka edhe një bashkëpunim aktiv mes gjykatave. Do të jenë këta dy kapituj të luftës kundër kriminalitetit dhe të cilësisë së sistemit të drejtësisë, disa nga kapitujt më të rëndësishëm në diskutimin me Bashkimin Europian, për të filluar rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Pra, bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim tregtar që mund të nxiten, marrëdhënie në luftën kundër krimit të organizuar dhe në fushën e aktivitetit të gjykatave, të cilat mund të forcohen, lidhje të hershme kulturore dhe nga ana jonë, vlerësimi i madh për rrugën që Shqipëria ka bërë këto vite nën lidershipin e Edit. Një rrugë që gëzon dhe perspektivën e Bashkimit Europian, perspektivë që Italia ka sigurisht për qëllim ta nxisë dhe një perspektivë që është vendimtare për mirëqenien e Ballkanit Perëndimor dhe në përgjithësi të rajonit tonë, sepse në fund, marrëdhëniet e mira mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumë të rëndësishme, sepse kontribuojnë për stabilitetin, paqen dhe dialogun në të gjithë rajonin. Rajon që në njëzet vitet e fundit kaloi nga kriza dhe tensione të mëdha në një rrugë zhvillimi dhe bashkëpunimi. Para disa javësh u takuam në Trieste, në kuadrin e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian. Stabiliteti i këtij rajoni është një e mirë e çmuar për të gjithë Europën dhe për Mesdheun dhe që ne nuk mund ta humbasin. Ndaj jam i lumtur që nga ky takim mes Italisë dhe Shqipërisë do të lindë një shtysë e re, jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për kontributin që dy vendet tona mund të japin për stabilitetin në rajon. Edhe një herë, faleminderit për vizitën tuaj! Faleminderit Edi!”, tha ai.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,696FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts