Kryeministri Edi Rama ka mbledhur pasditen e sotme qytetarët e Qarkut të Vlorës në një konsultë publike për projekt-buxhetin e vitit 2018. Fillimisht, kreu i Qeverisë është ndalur tek projektet dhe invesimet kryesore për 4 vitet e ardhshme të qeverisjes.
Pas kësaj, kryeministri Rama ka ftuar qytetarë që të bëhen pjesë e bashkëbisedimit, duke shtruar pyetje për problematikat me të cilat ndeshen çdo ditë, apo të ngrenë shqetësimet e tyre.
Por me sa duket, kryeministri Rama nuk e ka harruar ende dëgjesën që ka zhvilluar me qytetarët vlonjatë para zgjedhjeve të 25 qershorit, në kuadër të fushatës zgjedhore, ku pati jo pak “përplasje” mes qytetarëve, se kush do të merrte mikrofonin për të folur.
Ndaj para se t’u jepte fjalën, kryeministri Rama nuk ngurroi t’ua kujtonte këtë fakt, madje edhe u drejtoi një kërkesë:
“Tani mund të drejtoni pyetjet tuaja. Vetëm mos na çudisni, se ju këtu në Vlorë ziheni kush do ta marrë më parë mikrofonin”.