Nis “therja e thertoreve”. Pak ditë nga aksioni që paralajmëroi kryeministri Edi Rama janë arrestuar dy inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit.
Të arrestuarit janë Alfred Mahmuti, 45 vjeç, banues në Tiranë si dhe Erlinda Dervishi, 31 vjeçe, banuese në Tiranë, të dy me detyrë inspektore terreni pranë Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, dega Tiranë.
Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, në 2 subjekte (thertore) është konstatuar licencimi në kundërshtim me kriteret ligjore.
Policia e Tiranës në bashkëpunim me AKU-në, por edhe Agjenci të tjera ligjore po vijojnë kontrollet në mënyrë intesive për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, apo rastet e abuzimit dhe shpërdorimit të detyrës nga punonjës të këtyre strukturave.
Policia e Shtetit e konsideron të rëndësishëm dhe efikas bashkëpunimin me qytetarët, shoqërinë civile dhe median, e në këtë kuadër fton ata të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin falas 112, duke garantuar reagimin në kohë dhe të paanshëm.