Qeveria shqiptare ka drejtuar gishtin BE-së se po tregohet e padrejtë me Shqipërinë dhe sosja e durimit tek Kryeministri Rama. Në vend të ankesave, ish-Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, tregon se anagazhimi për të përmbushur detyrimet, vlen më shumë se fajësimi.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e LSI-së, shpjegon më shumë për këtë proces kompleks. E pyetur nëse gjuha e përdorur nga Kryeministri, rrit europskepticizmin, Gjosha shprehet se euroskepticizmi rritet, nëse shqiptarët kuptojnë se procesi po pengohet.

Duke u ndalur tek një pikë e rëndësishme siç është mbledhja e Këshillit Europian, aty ku do të vendoset për Prespektivën e Zgjerimit, ish-Ministrja shpreson që nuk do të ketë ndryshim kursi, apo ngadalësim të procesit. E për alarmin që vende të BE-së kanë ngritur për situatën me krimin në vend, deputetja e LSI-së, shton se situata është edhe më komplekse. “Ne kemi edhe një fenomen tjetër i cili ka të bëjë me tentativën masive të shqiptarëve për tu larguar jashtë vendit, në disa raste edhe me rrugë të paligjshme. Kjo tregon për një mungesë shprese dhe stabiliteti në vend”.

Shkrirja e Ministrisë, mbetet ende një shenjë të cilën ish-Ministrja e cilëson si shvlerësim të procesit por së bashku me një grup ekspertësh, ish-Ministrja ka lënë dokument strategjik për çeljen e negociatave deri në anëtarësim. “Do doja që ky dokument të fillonte të zbatohej sa më shpejt”.

Qeveria shkriu Ministrinë e Integrimit, por Kryeministri tha se negociatat e anëtarësimit hapen qershorin e 2018.  Së fundmi z.Rama theksoi se zgjerimi është jo “fair”, duke ja hedhur fajin BE-së për Shqipërinë. Si e keni lexuar këtë situatë? Ka të drejtë Kryeministri?

Nuk dua të komentoj deklaratat e kryeministrit. Mendoj që ajo që i takon Shqipërisë dhe çdo vendi tjetër aspirant për në Bashkimin Europian, është që të mos fajësojë askënd por të rrisë angazhimin për të përmbushur ato detyrime që kërkohen. Shkrirja e Ministrisë së Integrimit, nuk dëshmoi për ndonjë angazhim në rritje në këtë drejtim, ndërkohë që sot që flasim jemi ende në një konfuzion për mënyrën si do të udhëhiqet procesi. Kemi një strukturë së fundmi, e cila finalizohet 1 muaj pasi është krijuar qeveria. Kemi një staf të që ende nuk i janë ndarë detyrat, çka më bën të mendoj se për këtë vendim që u mor nuk ka pasur një analizë të mirëfilltë, por është bërë me shumë nxitim, të pamotivuar. Unë i qëndroj bindjes sime se Ministria e Integrimit nuk duhej shkrirë. Është një proces që nuk duhet të miksohet me procese të tjera. Nëse do të trajtohet si i tillë, atëherë shumë gjëra nuk do të bëhen ashtu siç duhet, siç në fakt shqiptarët e kërkojnë të jetë Integrimi, me hapa të shpejtë.

Gjuha e përdorur nga Kryeministri ndaj BE a mund të rrezikojë rritjen e eurskepticizmit në Shqipëri?

Shqiptarët janë një popull që e duan europën, e duan procesin e Integrimit, por unë mendoj se politika duhet të tregojë përgjegjshmërinë për të bërë atë çka ka detyrë: Udhëheqjen e këtij procesi me përfshirjen e të gjithë aktorëve. Euroskepticizmi do të rritej, nëse shqiptarët kuptojnë se procesi po pengohet, nuk po shkon përpara.

Këshilli Europian mblidhet në muajin dhjetor, ku shpresohet se zgjerimi do të hyjë në agjendë. A prisni ju një ndryshim kursi në strategjinë e zgjerimit? Mendoni se shtetet e BE-së duan ta ngadalësojnë procesin e zgjerimit?

Bazuar dhe në eksperiencën si Ministre, mund të them se procesi i Integrimit nuk është një proces i parashikueshëm. Varet nga shumë faktorë dhe është kompleks. Mbetet një proces politik dhe kursi i tij mund të ndikohet nga situata të ndryshme brenda vendeve të ndryshme anëtare. Le të shpresojmë që nuk do të kemi ndryshim kursi, as ngadalësim të procesit, pasi jo vetëm për Shqipërinë , por edhe për gjithë rajonin Perspektiva e Zgjerimit duhet të jetë e qartë dhe e mirëpërcaktuar dhe kjo jo vetëm për të ardhmen dhe zhvillimin e këtyre vendeve, por edhe për vetë Europën e Bashkuar, e cila ka kaluar jo pak kriza në 4 vitet e shkuara.

Z.Juncker ka pohuar se deri më 2019, perspektiva e zgjerimit është afër zeros. Duke parë këtë tërheqje apo lëkundërshmëri, duhet të besojmë se BE nuk kërkon të zgjerohet në drejtim të Ballkanit Perëndimor?

Besoj se procesi i Berlinit dhe vullneti i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për ta çuar atë përpara me incentiva dhe nxitje, është tregues se BE-ja e dëshiron Ballkanin Perëndimor brenda saj. Megjithatë, mendoj që Perspektiva e zgjerimit duhet të jetë më e qartë, me një kalendar afatesh dhe detyrimesh të mirëpërcaktuara.

Bullgaria merr Presidencën në muaj Janar, tashmë që u bë edhe njohja e minoritetit bullgar në Shqipëri, e shihni si një plus për Shqipërinë?

Kushte të tilla nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit teknik dhe të matshëm. Por çdo marrëdhënie e mirë me vendet anëtare patjetër që lehtëson mbështetjen e Shqipërisë.

Disa vende europiane kanë ngritur shqetësimin e krimit. A rrezikon Shqipëria që t’i rikthehet regjimi i vizave me zonën Shengen?

Krimi i organizuar është një problem që nuk mund të fshihet më jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Por ne kemi edhe një fenomen tjetër i cili ka të bëjë me tentativën masive të shqiptarëve për tu larguar jashtë vendit, në disa raste edhe me rrugë të paligjshme. Kjo tregon për një mungesë shprese dhe stabiliteti në vend, ndaj është urgjente nevoja për të marrë masa ashtu sikurse është urgjente nevoja e një plani kombëtar për zhvillimin ekonomik të vendit. Shqiptarët sot këtë kanë problemin më të madh. Nuk dua ta mendoj kthimin e regjimit të vizave, pasi do të minonte procesin e Integrimit, do të na kthente hapa pas e mbi të gjitha shqiptarët nuk e meritojnë të jenë të kufizuar në të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht.

Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker, në letrën e tij drejtuar Presidentit të Këshillit, ka përmendur vetëm Serbinë dhe Malin e Zi në vitin 2025. Duke e parë në syrin e ish-Ministres së Integrimit, përveç reformës në drejtësi, ka potencial dhe program Shqipëria për tu integruar?

Shqipëria ka bërë hapa përpara me procesin e Integrimit dhe kjo është e pamohueshme. Nga ana tjetër më lejoni të theksoj se ne nuk kemi hapur ende negociatat dhe nuk mund të pretendojmë për antarësim pa kapërcyer këtë hap që është edhe më i rëndësishmi. Mendoj që Shqipëria ka potencial për tu integruar, por i duhet një vizion i qartë dhe i mirëkordinuar në nivel ekspertësh. Fatkeqësisht ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi ecin me ritme të shpejta drejt anëtarësimit, Shqipëria shvlerëson procesin duke mos pasur sot ende një strukturë të saktë pranë Ministrisë së Jashtme për ta koordinuar atë. Ky nuk është moment eksperimentesh. Unë së bashku me një ekip shumë të mirë ekspertësh kemi dorëzuar një dokument strategjik për çeljen e negociatave deri në anëtarësim. Do doja që ky dokument të fillonte të zbatohej sa më shpejt.

Mendoni se agjendat e brendshme të një vendi të BE-së në lidhje me Shqipërinë mund të ndikojnë deri në kufizimin e hapjes së negociatave?

Gjithmonë agjendat e brendshme kanë një ndikim në politikën e zgjerimit. Zgjedhjet parlamentare të çdo vendi kur liderat ndeshen shpesh me kundërshtinë e opinionit publik është thelbësore por kjo nuk do të thotë që Shqipëria të fshihet pas kësaj. Detyrat tona të shtëpisë siç janë konsolidimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit mbeten çelsi i suksesit të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY