Fatos Lubonja, një zë kritik e i mprehtë kur vjen puna tek analiza e ngjarjeve politike, i ftuar sot në studion e lajmeve në “News 24” ka bërë një tjetër parashikim.
Sipas tij, krimi po fiton shumë terren e që të nxjerrë vendin nga kriza duhet një qeveri shpëtimi.
Krimi i drogës dhe krimi i vërtetë i thënë në mënyrë direkte po fiton terren, po vriten njerëz çdo ditë. Nuk del njeri të pyesë se kush janë këtë 20 familjet dhe 4 klanet kriminale që denoncoi ambasadori Lu. Po të dalin të kërkojnë. Përmenden vetëm disa emra personash që kanë bërë krime. Shqipëria është në një krizë, sepse opozita nuk ka alternativë, nuk ofron dot besim. Tani dhe ndërtimi i një alternative edhe pse thua gjëra të vërteta nënkupton mirëbesim të njerëzve. Një nga mundësitë për të ngjallur besimin është që të krijohet një qeveri shpëtimi”,- siç tha Lubonja.
E me qeveri shpëtimi ai nënkupton një qeveri, ku siç tha politikanët duhet të heqin dorë nga pasurimi i vetvetes, duke e kthyer kështu vëmendjen tek populli.
“Duhet një qeveri e shpëtimit, ku të heqin dorë nga vetja të nxjerrin lugën nga brezi dhe të shohin problemet e mëdha. Gjithnjë e më shumë sistemi po degradon, e në vend të gjejmë shpëtim do na bjerë mbi kokë tepsia e boshatisur”,- tha ai ndër të tjera.