Dalja në dritë e përgjimeve të drogës së grupit të Habilajve, në të cilat implikohej edhe ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka zyrtarizuar krijimin e frontit të përbashkët opozitar kundër krimit
Përfaqësuesit më të lartë të PD, LSI dhe partive të tjera parlamentare aleate të PD zhvilluan sot një tryezë takimi pas të cilës dolën në një deklaratë të përbashkët e cila në themel ka një kërkesë të vetme, largimin e kryeministrit Rama.
Më herët, Taulant Balla mblodhi grupin parlamentar të PS tek Kryesia e Kuvendit.
Çfarë doli nga përgjimet?
Në një përmbledhje të përgjimeve të kryera në 16 dhjetor të viti 2013, mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, një tjetër anëtar i organizatës, hetuesit shkruajnë se “të dy flasin për një njeri të pushtetshëm me emrin Sajmir Tahiri (deputet në Shqipëri), njeri politik.
Moisiu thotë se “ai ka më shumë se ne”. Sabi i përgjigjet duke thënë se Sajmiri ka vetëm emrin (në sensin e famës dhe pozitës), por nuk beson se ka më shumë para se ata.
Moisiu përllogarit se Sajmiri në një muaj ka bërë 5 milion euro. Sabi thotë se ai paratë i lë për fushatën elektorale. Moisiu i thotë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milion në një fushatë”.
Në një bisedë tjetër të së njejtës ditë, përmendet fakti se kanë blerë bizhuteri të shtrenjta disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Saimirit”. Ndërsa në përgjimet e datës 2 mars 2014, sërish mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, të dy janë duke bërë llogaritë e shpenzimeve dhe pagesave që duhet të kryejnë, kur thonë mes të tjerash se “30 mijë euro duhet t’ia japin Sajmirit”.
Në një dalje për mediat dje pasdite, ndërsa deklaroi se do të kërkojë nga Prokuroria të hetojë dhe verifikojë gjithshka rreth tij dhe punës së tij, ish ministri u shpreh se “dy kriminelë që janë kushërinj të mij të shkallës së dhjetë, janë arrestuar për trafik droge dhe siç është bërë publike, pa hezituar të përdorin dhe emrin tim.
Sigurisht kriminelë që përdorin emra politikanësh dhe ministrash,për tu mburrur me njëri tjetrin në dobi të fitimeve të paligjshme, ka pa fund dhe unë nuk jam as i pari dhe as i fundit”.
Ai mohoi të ketë patur lidhje me Habilajt.