
“Ti nuk e kupton dot, që të diskutosh a duhet të jetë Saimiri ministër apo ti, është njësoj të diskutosh nëse Champions League-n do ta fitojë Juvja apo Shakohoxha”. Kështu i hakërrehej Edi Rama, Ben Blushit në 23 mars 2017 në parlament.
Në të njëjtën periudhë, hetuesit e njësisë speciale të prokurorisë së Catanias kopsisnin dosjen e 4 vjet përgjimeve ambientale dhe telefonike të bandës së Habilajve që trafikoi në Itali 3.500 tonë drogë.
Edi Rama e ka mbrojtur gjithë publikisht ish-ministrin e tij. Madje, Saimir Tahiri u shndërrua në shtyllën ku kreu i qeverisë mbështeti të gjithë kredibilitetin e qeverisë së vet.
Saimir Tahiri ishte “një shining star”, një “celebrity televizionesh”, madje aq shumë sa, në përpjekje të dëshpëruar për të qëndruar mbi ujë, vetëm javën e fundit u rrotullua nga “Xing me Ermalin” tek “Portokalli”, nga pro-animalizmi me nismën ekzotike “#1ligj4putra” në Kuvend tek roli i “Komisar Katanit” me Turjan Hyskën.