Gjon Mili shqiptar, fotografi i dritës rrugëton në Europë

0
1323

Fotografia për të ishte më shumë se art, më shumë se pasion. Krijoi vepra të mrekullueshme, duke u frymëzuar nga lëvizjet e kërcimtarëve e muzikantëve, bashkëpunoi me emra të mëdhenj, si Pikaso, Henri Matis, Hiçkok, Markon Brando, Sofia Loren… Bëri pjesë në rrethet e artistëve me famë në vitet ’30-’40..

 

E ndoshta pak e dinë se ai ishte shqiptar. “Drita” e Gjon Milit, dokumentari kushtuar mjeshtrit të fotografisë me origjinë shqiptare, u shfaq mbrëmjen e së mërkurës në Muzeun e Artit Modern në Luksemburg (Musée d’Art Moderne du Grand-Duc Jean, Luxembourg).

Një film prej 52 minutash, i realizuar nga dy artistet shqiptare Yllka Gjollesha dhe Suela Bako, të cilat për muaj me radhë kanë ndjekur gjurmët e fotografit, kanë takuar njerëz, bashkëpunëtorë të vjetër e nxënës, për të ndërtuar portretin shumëdimensional të një njeriu që nuk ishte thjesht një fotograf, por një artist, që hulumtoi dhe eksperimentoi gjithnjë shtigje të reja, për ta sjellë fotografinë jo vetëm si një imazh, por si një mendim. Figura e Gjon Milit ka përbërë gjithnjë një kuriozitet dhe, me sa duket, kishte ardhur momenti që për të të flitej pak më gjatë.

big_yllka-gjollesha

Në botën e fotografisë, nuk mund të ketë profesionistë që nuk e kanë dëgjuar emrin e Gjon Milit, nuk i janë referuar arritjeve të tij, por në Shqipëri, emri i tij njihet shumë pak. Dhe një nga qëllimet e autoreve ishte edhe ta sillnin figurën e tij të plotë përpara publikut shqiptar, por edhe ta paraqisnin atë përpara publikut të huaj, si një shqiptar. Dy artistet kanë punuar fort për t’ia arritur qëllimit, duke sjellë jo vetëm aspekte të punës së Gjon Milit, një emër ndërkombëtar tash i fotografisë, që ka fiksuar në celuloid emra të mëdhenj të artit botëror, por edhe për aspektin human.

Një ndër to ishte edhe lidhja që ai pati me atdheun e të parëve, Shqipërinë, të cilën nuk mundi ta vizitojë dot kurrë. Gjon Mili, fotografi për 40 vite me radhë i revistës “LIFE”, udhë- toi gjithë botën, duke fotografuar njerëz të famshëm, piktorë, kërcimtarë, muzikantë, filozofë…, nuk u lejua të vizitonte vendin e tij. Përmes këtij filmi, dy artistet i zbulojnë publikut se në vitin 1946 Milit iu refuzua viza e kërkuar pranë Ambasadës Shqiptare në Paris.

bako

Po atë vit, Gjon Mili fotografoi udhëheqësin komunist, Enver Hoxha, në Konferencën e Paqes, duke mbajtur fjalimin. “Light” i dyshes GjolleshaBako është më tepër se një dokumentar. Ai nuk rendit thjesht të dhëna, nuk dëshmon thjesht punën e Milit, nuk sjell vetëm dëshmi të bashkëkohësve, apo mendime profesionistësh, shqiptarë e të huaj, por ngrihet edhe mbi fantazinë, duke krijuar situata e duke luajtur me simbolika, tema e teknika që ai ka trajtuar në punën e vet.

Që nga femra, te macja e zezë… Por mbi të gjitha është drita, që do të ishte edhe arma e fortë në punën e tij. Tashmë filmi po ndjek rrugëtimin e vet. Në fillim të muajit maj ai u shfaq në Nju Jork në “NYC Independent Film Festival”. Në datën 31 maj pati premierën në Tiranë, për të vijuar më tej me të tjera shfaqje.

Ndalesa e radhës ishte Luksemburgu, ku u shfaq në një nga qendrat më të rëndësishme të artit modern. Shfaqja e filmit u shoqërua edhe me një bisedë me autoret, për të vijuar më tej me një krijim origjinal të Gjon Milit. Bëhet fjalë për filmin e shkurtër muzikor, prej 10 minutash, “JAMMIN’THE BLUES”, një prodhim amerikan i vitit 1944, i kandiduar për “Oscar”, në kategorinë e filmit të shkurtër më të mirë, për të vijuar me një koncert xhazi nga JULIA BELOVA JAZZ TRIO.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here