Me vendosjen e Partisë Socialiste si barrierë politiko-ligjore përballë dënimit të trafikut të narkotikëve, nuk ka më dyshime se Rama dhe Tahiri janë të pandashëm në këtë çështje. Kryeministri u përpoq të distancohej ditët e para kur plasi skandali, por siç u pa, më vonë ndryshoi qëndrim.
Me lot dhe kërcënime për një “përballje spektakolare në të ardhmen” Tahiri ia doli të sigurojë mbrojtje për vetë, por edhe ta sjellë më afër të vërtetës perceptimin për atë që ka ndodhur.
Askush nuk mund ta quajë më atë “shefin e madh”, që i vetëm arriti t’u garantojë Habilajve rrugën e lirë për trafikun e narkotikëve drejt Italisë. Duke tërhequr Edi Ramën dhe të gjithë deputetët e Partisë Socialiste në përballjen me drejtësinë, Tahiri sot identifikohet vetëm si një nga hallkat e mekanizmit.
Nga ana tjetër, kur Rama vendosi ta bllokojë arrestimin e Tahirit, mori përsipër peshën e akuzave që bien mbi ish Ministrin e Brendshëm.
Fatmir Xhafaj është i vjetër në politikë. E ka të qartë se mungesa e eksperiencës dhe bindja e verbër ndaj Edi Ramës mund ta çojë në të njëjtën rrugë qorre.
Me një mesazh publik, sot e bëri të qartë se nuk do të bëjë të njëjtin gabim diletant të paraardhësit të tij. Në fjalimin që lexoi para policëve, Xhafaj doli nga tema dhe foli për karrierën personale në politikë, duke thënë:
“Dëshiroj të theksoj sot para jush edhe një gjë shumë të rëndësishme për mua: Nuk kam asnjë ambicie personale për karrierë politike përmes ushtrimit të funksionit aktual. Jam plotësisht i realizuar nga kjo pikëpamje, ndaj e vetmja ambicie e ime në ushtrimin e kësaj detyre është një Shqipëri më e sigurtë për të gjithë, një Shqipëri ku nuk kultivohet kanabis”
Me këtë deklaratë, Fatmir Xhafaj konfirmoi edhe njëherë “gabimin” e Tahirit, i cili iu bind verbërisht shefi të tij, për hir të karrierës politike. Një gabim që i ka kushtuar shtrenjtë duke e çuar në bangën e të akuzuarve për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.