Shqiptarët sipas penave të artave franceze

0
1557

Dijetari, historiani, natyralisti, arkeologu, diplomati, për shumë vite edhe konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, Fransua Pukëvil (1770-1838) (Françoi Pouqueville), pa dyshim një ndër ata të huaj që na kanë njohur më mirë, ndërsa ka këmbëngulur se “Shqiptarët janë njerëz të maleve”, është shprehur po ashtu: “Nuk përdorin art për t’u maskuar”.

Ai ka vënë re se “Sapo u krijohet mundësia të vendosen në një ofiq, mendjen e kanë tek të ardhurat që do nxjerrin…”

Pukëvil nuk ka harruar të vërë në dukje: “Gjithë entuziazëm për vendin e tyre, nuk flasin kurrë për të veç për ta nxjerrë mbi të tjerët…”.

Ka theksuar ndërkohë: “Nuk shkojnë ndër mend vuajtjet që kanë kaluar…,rreziqet e vazhdueshme që i kanosnin, por pavarësinë që gëzonin…”

Fransua Pukëvili ka qenë i mendimit se “Shqiptarët krijojnë një trupë kombësie më vete”, se “në mërgim mbeten, gjithë mburrje, shqiptarë me zemër dhe me emër”.

Ndërkohë spikat: “trupi i zakontë i këtij kombi të ashpër e të fortë…të nënshtruar, por pa qenë skllevër”.

Ose nxjerr në pah për çdo lexues të huaj se shqiptarët janë “Më shpejt të nënshtruar ndaj autoritetit, më pak të lirë, por të pasur”.

Pukëvil nuk harron të shkruajë se “Shqiptari i paaftë për mendje të zezë, nuk ushtron kurrfarë despotizmi ndaj grave; kurrë nuk i mbyll brenda dhe ato i qepen malit fytyrëzbuluar…”

Fransua Viktor Lamar-Pikò (1787-1865) (Françoi Victor Lamare-Picquot), ndihmësmjek ushtarak me misione në Korfuz dhe në Janinë, i dekoruar me Legjionin e Nderit, ka vënë dukje se “Gjithë banorët e tjerë të Epirit quhen përgjithësisht shqiptarë apo epirotë. Edhe pse janë me zemër të gurtë, nuk është se janë pa cilësi, sado të egra të shfaqen”.

Spikat po ashtu: “Hakmarrja e shqiptarit është e pamëshirshme, por miqësia e tij është më se e sigurt”.

Vëren: “Ka një guxim të pashoq në çdo sprovë. Asgjë nuk mund të krahasohet me shpejtësinë e marshimit të shqiptarëve dhe ushqimi më i paktë, një kokër hudhër, pak djathë dhie, u mjafton për të tërë ditën”.

Njëkohësisht ravijëzon se “Gratë shqiptare punojnë tokën dhe shpesh u bëjnë ballë rreziqeve përkrah burrave; por këta nuk i ndihmojnë asnjëherë në punët e vështira që bëjnë; madje rrinë dhe i vështrojnë në mundin e tyre, pa u dhënë kurrfarë ndihme…”

Fransua Viktor Lamar-Pikò ngul këmbë se “Luftarakë nga karakteri, shqiptarët vlerësojnë për zbukurim veç armët”.

Po ashtu thekson: “Shqiptarët kanë një muzikë me ritëm shumë të thyer…Kjo muzikë me ashpërsinë e vet duket sikur vjen nga malet ku banojnë këta popuj barbarë”.

I lindur në 1807, një tjetër frank, studiuesi, gjuhëtari, profesori i letërsisë dhe i gjuhëve sllave në Kolegjin e Francës, Siprien Rober (Cyprien Robert), ka shpallur këtë mendim për “homo albanicus”: “Naiviteti i tyre bie në sy në krejt veprimet që bëjnë: të pafuqishëm për t’u maskuar, ata e shpallin çiltërsisht si urrejtjen ashtu edhe miqësinë e tyre; shumë të butë në marrëdhëniet e zakonshme, ndonëse të zymtë dhe të heshtur, ata kanë të metën që s’dinë të falin”. Ndërkohë vë në dukje: ”Kryesisht njerëz të punës, ata rrëmbejnë armët vetëm kur e shohin pisk”.

Agyste Mejlan (1840-1897) (Auguste Meylan), udhëpërshkrues dhe pamfletist, është i mendimit se “Fiset shqiptare kanë për prijës kapitenë apo bajraktarë që gëzojnë një autoritet shumë më të gjerë se vajvodët e fiseve sllave…”. Në vijim: “Zakonet shqiptare janë tepër të çuditshme dhe nuk kanë lidhje me ato të popullatave të tjera të Ballkanit. I guximshëm, i pavarur, krenar për lirinë e tij, shqiptari, qoftë i krishterë, qoftë mysliman, kërkon të jetojë i lirë dhe i qetë në malet e veta. Nuk pranon as tiraninë e Kostandinopojës, as sundimin sllav. I përmbahet riteve, zakoneve e traditave të veta dhe-gjë e çuditshme-has në Shqipëri shqiptarë myslimanë, ortodoksë katolikë, grekë e katolikë romakë”.

Në vitet 1873-74 Alber Dymon (Albert Dumont), studiues e udhërrëfyes, botoi veprën “Ballkani dhe Adriatiku”. Në të thotë: “Shqipja është një gjuhë indoevropiane, që për nga rrënjët e fjalëve afrohet shumë më tepër me latinishten se sa me greqishten”. Ai ka vënë në dukje gjithashtu se “Shqiptarët e malit asnjëherë nuk i janë nënshtruar kujt”. Alber Dymon spikat edhe këto fjalë: ”Vendi është i ndarë në klane që administrohen sipas dëshirës, ose më mirë që jetojnë sipas dëshirës nga që fjala administrohen nuk shkon në këtë rast”.

Zhak Elizé Reklys (1830-1905) (Jacques Élisée Reclus) ka qenë një gjeograf i famshëm francez, por edhe anarkist po aq i njohur. Pjesëmarrës në revolucionin e Komunës së Parisit, më pas shok i ngushtë me bolshevikun Sergej Bakunin, ai hartoi, përveç shumëvëllimëshit “Gjeografia e Re Universale” (“Nouvelle Geographie Universelle”, edhe botime mbi anarkizmin. Reklus ishte i bindur se komunizmi prej natyrës së tij qe anarkist, popull dhe njerëz të lirë pa asnjë qeveri. Njerëzimi, ngulte këmbë ai, tërë jetën ka ndjekur dy qëllime të tij kryesore: lirinë ekonomike dhe politike.

Pikërisht ky gjeograf shumë i njohur në botë dhe që për pikëpamjet e tij anarkiste dhe subversive pati qenë i burgosur vazhdimisht, ka shkruar për popullin tonë.

Dy nga formulimet e tij janë: “Shqiptarët dallohen në përgjithësi për mprehtësinë dhe finesën e shpirtit, për qartësinë e mendimit dhe forcën e karakterit” dhe “Mikpritës, të përkorë e të qëndrueshëm, këta janë në përgjithësi shqiptarët, popullsia e të cilëve, e shpërndarë mbi një territor gati sa ai i Zvicrës, nuk i arrin të një milion banorët. Po prapë, hijeshia e Shqipërisë nuk qëndron thjesht në bukurinë e pejsazheve dhe në karakterin simpatik të shqiptarëve”.

Rëné Pinon (Renë Pinon), shkrimtar, historian dhe analist, në vitin 1911 shkruante se “…shqiptari është mbret i maleve; gjuetar, bari, ushtar apo kaçak…ai i bindet vetëm zakoneve të tij dhe fatin e lidh me pushkën që mban. Roli i tij historik  është i lidhur ngushtë me natyrën e vet dhe kjo me atë të vendit të tij”. Njëkohësisht Pinon është shprehur se “Vetëm shqiptari, nga tërë popujt e Evropës, ka përshkruar historinë dhe ka mbetur i ngjashëm me vetveten”. Sipas tij “Iliria nuk ka histori të veçantë, por njerëzit që lindin në të janë të famshëm për energjinë e tyre disi brutale, aftësinë e tyre për luftë dhe për funksione publike….” Pinon është i mendimit se shqiptari është “I shkathët për të arritur caqet e nderimit dhe të përfitimit, është njeriu i vendosmërisë dhe i pasurisë”.

Shqipëria nuk është vendi më i varfër i Evropës, por një vend i pasur i varfëruar.

Baroni Pol d’Esturnel dë Kostan (1852-1924) (Paul d’Estournelle de Costant), senator e mbi të gjitha i vlerësuar me çmimin “Nobel i Paqes” në vitin 1909, i ndodhi që në 1914 të udhëhiqte një mision ekspertize në Ballkan. Për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare ai bashkëpunoi shumë ngushtë me mikun e madh të popullit tonë, bashkëkombësin e vet Zhysten Godar (JustinGodart). Senatori Pol në vitin 1914, në 15 mars, ditë e diel, në faqen e parë gazeta “Le Petit Journal” botoi editorialin “Pashallarët favorizojnë banditizmin…” Opinioni i redaksisë për shqiptarët ishte ky: “Kjo është racë energjike dhe e fortë, fatet e të cilës ndoshta do jenë të shkëlqyeshme në të ardhmen nëse qytetërimi i dobishëm vjen fatmirësisht për të ndryshuar karakterin dhe zakonet e tij”.

Profesori i historisë së mesjetës në Universitetin e Parisit X të Nanterrës, specialist për çështjet e Mesdheut dhe drejtor i Qendrës së Historisë Shoqërore të Kulturave për Perëndimin, Henri Bresh (Henri Bresc) në vitin 1939 është shprehur: “E megjithatë  ndjenja e origjinës dhe e veçantisë së tyre mbetet shumë e fortë; nuk ngatërrohen as me grekët, as me sllavët fqinjë“.

Natali Klejé (Nathalie Clayer), aktualisht studiuese e specializuar në Qendrën e Historisë të Studimeve të Larta në Shkencat Shoqërore në Paris, vështruar historikisht, ka këtë opinion të palëkundur për shqiptarët: “Nuk ishin servilë, ishin të guximshëm dhe parapëlqenin zanatin e armëve”.

Zhilber Gard (Gilbert Gardes), historian i artit, ish-sekretar i Përgjithshëm i Qendrës Kërkimore Kombëtare Shkencore, drejtor i promovimit të Kulturës së Shoqërisë Bashkimi Shqiptar, autor në 1995 i librit “Udhërrëfyes për Shqipërinë” (“Guide per l’Albanie”), botimi më i plotë dhe më i shitur i këtij profili për vendin tonë, shpall se “Shqipëria nuk është vendi më i varfër i Evropës”, por një vend i pasur i varfëruar. E pasur nga toka e nëntoka, e pasur me trashëgimi kulturore origjinale”.

Po ashtu tërheq vëmendjen e çdo lexuesi se “Shqiptarët nuk janë hordhi leckamanësh të uritur e të krisur, që lypin dyerve të Evropës. Shqiptarët janë një komb me diasporë të përhershme, që gjithmonë i ka dhënë gjallëri vendeve që kanë përfituar. Ndershmëria, respektimi i fjalës së dhënë, mikpritja, siguria në marrëdhëniet e ndërsjella, vlera tradicionale që arrijnë kulmin më të lartë në qytetërimin shqiptar janë përherë të rrënjosura në shtresat e thella të popullsisë”.

“Shtëpia e shqiptarit, ngul këmbë Zhilber Gard, është vatra e mikut dhe e udhëtarit”.

Dymà

Aleksandër Dymà (1802-1870), autor i mbi 120 librave, ka përshkruar historinë dhe ka mbetur i ngjashëm me vetveten, kur përshkruan shqiptarët:

“Shqipëria është një nga provincat më të vështira për t’u shfrytëzuar. Banorët e saj ishin mjaft të varfër, shumë të vendosur dhe, nga ana tjetër të fshehur natyrshëm në vargmale të ashpra. Pashallarët e kishin shumë të vështirë të bënin aty pasuri, sepse secili e kishte zakon të mbronte energjikisht bukën e vet. Muhamedanë apo të krishterë, shqiptarët ishin të gjithë ushtarë”.

Lamartin

Konti Lamartin (1760-1869), një nga poetët më të mëdhenj romantikë të vendit të vet, autor i 30 librave dhe në të njëjtën kohë edhe politikan, diplomat e deputet, ka nxjerrë në pah se

“E vetmja gjë e pandryshueshme tek shqiptarët është pasioni i tyre për pavarësi e lavdi. Ky pasion i lavdisë është tipari sundues i karakterit të tyre dhe burimi i heroizmit: është toka e heronjve në të tërë kohërat”. Po ashtu ai vinte në dukje: “Disiplina tepër e rregullt e ushtrive evropiane u rëndon, parapëlqejnë shkëlqimin e bëmave vetjake…qytetërimin që i lejon skllevërit të ngjiten, sipas trillit të të parit të tyre”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here