Atletika, mbretëresha e sporteve

0
1814

Aktiviteti fizik ka shumë rëndësi për njeriun, ndaj dhe dekada më parë, fizkultura e mëngjesit ishte domosdoshmëri për të gjithë.

Nxënës shkollash, nëpunës të administratës, sportistë dhe jo vetëm, bëheshin pjesë e “kalitjes së mëngjesit”me qëllim që shëndeti të mos paraqiste probleme për shkak të mbipeshës. Pas rënies së sistemit monist, aktiviteti fizik u la pas dore, duke i sjellë shoqërisë një sërë efektesh shëndetësore por edhe sociale.

Pas viteve ’90 ishin shumë të paktë ata që vrapin nuk e tradhëtuan, ndonëse fillimisht u duk si një trend i kohës por që tashmë koha ka ndryshuar. Gjithkush që është i panishëm në kodrat e Liqenit Artificial, bëhet dëshmitar i qindra personave të cilët vrapojnë apo stërviten në të vetmin ambient, pasi Tirana e sotme, e mbi 1 milionë banorëve, nuk të lë shumë hapësira.

“Channel One” sjell një personazh shumë inkurajues, i cili ka faktuar se nuk mjafton të jesh atlet profesionist për tu stërvitur, për të vrapuar apo për të marrë pjesë në kompeticione të ndryshme brenda si edhe jashtë vendit për të fituar dhe qindra medalje.

Sotir Qiriaqi, 72-vjeçari energjik që vrapon çdo ditë, tregon për “Channel One” sesi i lindi si domosdoshmëri vrapimi dhe sesi ai, me shumë vullnet dhe këmbëngulje, sot numëron qindra medalje të fituara, ka marrë pjesë në 130 maratona, në 4200 kilometër gara zyrtare si dhe ka realizuar 86 mijë kilometër stërvitje.

Qiriaqi shperhet se vrapimi tashmë është kthyer në një domosdoshmëri, ndonëse në vendin tonë vrapojnë jo më shumë se 5% e popullsisë. Për 72-vjeçarin vrapi është magji individuale dhe kolektive dhe të largon nga fenomenet negative të shoqërisë. Megjithatë, ai është shpresëplotë se numri i vrapuesve do të rritet, megjithatë i kërkon institucioneve që të ndërhyjnë për krijimin e infrastrukturës sportive dhe realizimin e sa më shumë aktiviteteve të kësaj natyre.

Sotir Qiriaqi është dëshmia e gjallë e një njeriu të apasionuar për sportin, ndonëse ai nuk është profesioni i tij, ndërkohë që tek kodrat e Liqenit Artificial çdo ditë shikon atletë profesionistë të cilët stërviten.

Taulant Stërmasi, trajneri i atletes së njohur dhe nënkapiome Evrope, Luiza Gega thotë për “Channel One” se numri i qytetarëve që i janë rikthyer aktivitetit fizik është rritur, por problem i pazgjidhur ende mbetet krijimi i terreneve të duhura për të ndihmuar atletët profesionistë për tu stërvitur. Ai shprehet se sporti elitar kërkon mbështetje, pasi hapësirat në dispozicion të tyre për stërvitje permanente janë të të limituara duke bërë që shumë prej tyre të stërviten jashtë vendit.

Shqipëria numëron një numër të madh sportistësh profesionistë, të cilët falë punës intensive disa vjeçare kanë arritur që të marrin pjesë në gara kombëtare e ndërkombëtare, duke u renditur në krye të klasifikimeve europiane e botërore.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi thotë, se në dy dekadat e fundit është rritur edhe numri i këtyre sportistëve, madje ka ndryshuar edhe metoda e atletikës. Risi sipas tij është numri i lartë i fëmijëve të cilët regjistrohen në këtë sport. Ai shprehet se vitet e fundit është investuar edhe në pistat e vrapimit, ku deri tani numërohen 5 të tilla.

Edhe për rektorin e Universitetit të Sporteve, Prof.Dr. Agron Cuka viteve të fundit ka një tendencë të madhe interesimi të studentëve për të studiuar shkencat e lëvizjes.Ai thotë se universiteti ka programe të veçanta për përgatitjen e trajnerëve, ndërkohë thekson se domosdoshmëri është që trajneri i fitnesit, që viteve të fundit ka pësuar një interesim të madh, të përfshihet në profesionet e mbrojtura me ligj.

Garat e para publike në atletikën e lehtë në Shqipërinë datojnë në vitin 1920 në qytetin e Shkodrës. Fillimisht, garat ishin në 100, 200 dhe 400 metra, kërcim së larti, së gjati, trehapësh si dhe hedhje gjyle. Kampionati Kombëtar për Shqipërinë është mbajtur më 20 gusht të vitit 1929. Të gjithë këto rezultate të Kampionëve të parë Kombëtarë, janë dhe rekordet e para zyrtare kombëtare të Shqipërisë dhe si të tillë duhen njohur.

Po përse vrapojnë njerëzit e thjeshtë?

Rezultatet e para të vrapimit shihen pas katër javësh praktikë konstante. Rikuperimi i formës fizike mund të arrihet vetëm përmes vrapit. Njerëzit nuk vrapojnë për të shtuar oreksin, por për ta tretur atë. Vrapi është i bukur dhe i shëndetshëm, mjafton të dish ta bësh. Ndryshe nga të gjitha sportet e tjera është më i lehti për t’u mësuar. Sipas ekspertëve, duke përjashtuar orët e drekës, çdo moment i ditës është i përshtatshëm për të bërë vrap. E rëndësishme është të vraponi.

E bukura e vrapit është se mund të bëhet kudo: nuk nevojiten as fusha, as palestra dhe as pishina. Nëse do t’u duhet të zgjidhni, atëherë shmangni asfaltin dhe sidomos çimenton. Të vrapuarit në natyrë mes pemëve është më bukur sesa të sillesh rrotull një parkingu. Një njeri që vrapon dhe nuk kryen aktivitet tjetër, djeg një sasi të konsiderueshme yndyrash. Nëse dëshironi të ndiheni në formë të shkëlqyer dhe të ruani linjat trupore atëherë mos ju ndani vrapit, por bëjeni pjesë të jetës suaj të përditshme.

Të gjithë e dimë se vrapimi sjell dobi shëndetit tonë, përndryshe nuk do të vraponim nëse nuk do të përfitonim asgjë. Vrapimi përmirëson shëndetin mendor,shëndetin e zemrës, osteoporozën, gjumin, sistemin e imunitetit, largon stresin, sjell humbje peshe etj.

Atletika, thuhet që është sporti më i vjetër në botë, i cili daton si një sport profesional që në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë. Sot Atletika numëron një numër te madh disiplinash por në antikë ajo ishte e kushtëzuar në vrapime të ndryshme dhe hedhje disku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here