Euro shenon renie ne tregun e brendshem

0
1170

Prej gati dy javësh monedha e përbashkët po shënon rënie në tregun e brendshëm. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej sot me 133.47 Lekë, niveli më i ulët që prej 12 shtatorit të këtij viti.

 

 

Tradicionalisht monedha e përbashkët është e fortë në këtë periudhë, pas rënies në periudhën e verës si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve dhe të ardhurave nga turizmi. Nga shtatori, leku fillon e zhvlerësohet ndaj euros, teksa aktiviteti tregtar i kthehet normalitetit çka shoqërohet me rritje të kërkesës për valutë.

Ekspertët e tregut të kontaktuar nga Monitor, ndryshe nga herët e tjera nuk ishin të qartë se cilët janë faktorët që po ndikojnë. Ndonëse euro është me rënie të lehtë në bursa, sërish ajo vijon të këmbehet në rreth 1.18 USD, duke mos qenë faktor përcaktues për luhatjet në tregun e brendshëm.

Një ekspert i tregut bankar pohon se efekt ka filluar të japë dhe procesi i deeuroizimit, i njoftuar nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij viti, ku bankat kanë filluar të marrin tashmë masat dhe të orientojnë klientët drejt monedhës vendase dhe euro nuk është e favorizuar në transaksionet bankare. Ai nuk pret që euro të rritet më tej në muajt në vijim.

Një tjetër shpjegim lidhet me konsumin relativisht të dobët. Pavarësisht se rritja ekonomike po rezulton në nivelet e rreth 4%, shifrat e INSTAT bëjnë të ditur që konsumi po përmirësohet me ritme më të ngadalta, me rreth 2%.

Arsyeja e tretë lidhet me riaktivizimin e transportit të hashashit, teksa po nxitohet që të transportohet drejt Italisë malli që ka mbetur stok, apo dhe korrjet e reja, që gjithsesi janë në sasi shumë më të ulëta se një vit më parë. Një tendencë e tillë në fakt u konstatua dhe një vit më parë, ku euro filloi rënien në tetor, për të zbritur deri në 134 lekë në dhjetor 2016 zbriti në 134 lekë. Ndërsa në tetor 2015, kur kursi ishte nën ndikimin e faktorëve tradicionalë, euro u forcua pas rënies së gushtit në rreth 140 lekë (në 20 tetor 2015 euro këmbehej me 139.89 lekë, sipas kursit zyrtar të BSH-së), për të rënë më pas në dhjetor kur rriten prurjet e emigrantëve.

Që prej fundit të vitit 2016, euro në tregun vendas po luhatet afër niveleve më të ulëta të 9 viteve, ku faktori kryesor mbetet ofertat e lartë e valutës në tregun vendas, që ka ardhur kryesisht nga hyrjet e valutës nga aktivitete të paligjshme, por edhe si rrjedhojë e përmirësimit të dukshëm të bilancit të pagesave (shtimit të turistëve dhe rritjes së eksporteve të shërbimeve). /Monitor/

kk-23-tetor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here