Hoxha i Pukës dhe kryqi i Nënë Terezës

0
3143

Sa herë që në rrjetet sociale të zë syri ndonjë etiketim përçmues apo fyes të dikujt për shkak të përkatësisë fetare, të vjen ndërmend një gjest i lartë i shumë viteve më parë Hoxha i Pukës, Hafiz Elez Hoxha (1910- 2002), simbol i urtësisë e tolerancës, mik i Migjenit në rininë e tij dhe mësues mejtepi, priti Nënë Terezën në vitin 1991, kur shenjtorja e ardhshme u ngjit në bjeshkë për të vizituar shtëpinë e motrave të saj në ato anë. Një çast ajo hoqi nga qafa kryqin dhe ia dhuroi Hoxhës diturak duke iu drejtuar mirësisht: “Ndonëse nuk e mbani të varur, siç e kisha unë, ruajeni për kujtim ose jepjani ndonjë të krishteri të devotshëm”. Hoxha, me pamje filozofi, duke e marrë kryqin, i tha nobelistes së famshme se simbolet fetare janë shenja të paqes dhe mbarësisë së njerëzimit. Sa herë shkon në Pukë, sheh mes parqeve të blertë se mos është ngritur diku busti i këtij hoxhe fisnik, jo thjesht nga ky gjest fetarie, që nuk është as i pari e as i fundit mes prijësve të besimit të krishterë e atij mysliman, por nga një jetë e tërë e kushtuar fesë, diturisë, paqes, kudo ku hoxhë Elezi shërbeu, në Pukë, Delvinë, Kukës, i cili në vitin 1945 zgjidhet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pukës, për t’u goditur rëndë politikisht më vonë, si të gjithë klerikët e tjerë pas Luftës së Dytë Botërore, duke vuajtur shumë vite burg. Janë të shumta mesazhet e dhëna nga klerikët e besimeve të ndryshme për harmoninë fetare, çka përbën një antologji shqiptare më vete, ndonëse ende e paformësuar në ndonjë botim. Anton Harapi thoshte: “T’i diftojmë botës se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë e njiheri shqiptarë të njimendët”.

 

Nga NDUE DEDAJ

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here