Dëshmitari fundos biznesmenin Orest Sota me patentat e Saimir Tahirit

0
1523

“Nuk prisnim një klient të tillë! Madje ne nuk marrim asnjëherë kartmonedha cash, jo më një shumë të tillë”! Kjo është fraza e thënë nga një prej punonjësve të kompanisë “Kurum” që ka qenë në punë momentin që brenda ambienteve të kësaj kompanie ka hyrë me shpejtësi të madhe një djalë i ri me mjet luksoz. Ai është ndaluar aty dhe ka tentuar që të kryejë një blerje, por nuk është pranuar nga ana e punonjësve pasi ai kishte paratë në dorë dhe se bëhej fjalë për një shumë të madhe. Po teksa i riu është prezantuar si djali i biznesmenit të njohur, Lefter Sota, menjëherë brenda ambienteve të “Kurum” ka mbërritur policia e cila ka qenë në ndjekje të djalit me “Range Rover”.

Sigurisht i riu ka mundur të u shkëputet policisë për shkak se makina e tij është shumë herë më e shpejtë se sa mjetet e policisë sonë. Po pasi është ndaluar dhe është përgatitur për të shoqërimi për në komisariatin e Elbasanit, policia ka pyetur të pranishmit në “Kurum” për njohjet dhe marrëveshjen me klientin e tyre, të cilët kanë mohuar jo vetëm njohjen me atë person, por madje kanë treguar se nuk bëjnë dot asnjë lloj veprimi me pagesa në dorë. Teksa djali ka treguar se gjendej aty për të blerë hekur dhe se paratë që ishin në mjet ishin të të atit të tij, blutë kanë mundur të gjejnë edhe patentat e Saimir Tahirit, e madje patenta që kanë të bëjnë me drejtim mjetesh ujorë të një peshe të rëndë. Teksa skandali u publiku nga shefi i opozitës, Lulzim Basha, policia u kujdes më shumë t`i kundërvihej atij se sa të sqaronte ngjarjen.

Po çfarë ka ndodhur në orët në vazhdim?

Sipas të burimeve, policia ka marrë paratë dhe i ka numëruar vetë. Janë kaluar me anë të një procesverbali dhe i janë dorëzuar prokurores së çështjes e cila bën edhe depozitimin e nevojshëm të kësaj shume. Prokuroria bën me dije se do të kryhet ekspertimi i çdo monedhe pasi mund të gjenden gjurmë të tjera gishtërinjsh, edhe pse policia ka shumë mundësi të ketë prishur gjithë sistemin e gjurmëve kapilare në këto monedha. Po ashtu, do të verifikohen me hollësi kodet e kartmonedhave dhe prej aty prokuroria mund të zbulojë lehtësisht se nga kanë ardhur ato para. Po ashtu bëhet me dije se një tjetër hetim është përqendruar te rruga që ka përshkruar djali i biznesmenit. Burime të besueshme tregojnë se ka dyshime që djali vinte nga Vlora dhe se këto materiale kanë patur destinacion Tiranën. Mjetet identifikuese të punës së Tahirit mësohet se janë kaluar te Krimet e Rënda ku pritet që të bëhet verifikimi konkret. Këto mjete do t`i bashkëngjiten hetimit të Tahirit që po zhvillon kjo prokurori në kuadër të dosjes së Katanias!

Dëshmia

Zbardhet dëshmia e dhënë në sallën e gjyqit në Elbasan nga biznesmeni Orest Sota, që u arrestua me datën 1 nëntor në Elbasan pasi nuk i ndaloi postbllokut të policisë, ndërsa në automjet iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta për drejtimin e mjeteve lundruese në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Po ashtu iu gjet edhe një patentë e bashkëshortes së Tahirit, por nuk dihet se çfarë patente ishte ajo e bashkëshortes. Ndonëse gjykata vendosi të lërë në burg 25-vjeçarin, Sota, deri në sqarimin e gjithë ngjarjes, mësohet se ai ashtu si në versionin e parë, e ka justifikuar shumën e 863 mijë eurove si pagesë që duhet të bënte për blerje hekurit pranë kompanisë “Kurum”. Ndërsa për dy patentat në emër të Saimir Tahirit, ai i tha Gjykatës se: “Ato mund të jenë lënë aty nga shoferi i Tahirit me të cilin ka miqësi”. I riu ka mohuar të ketë lidhje me Saimir Tahirin, ndërsa ka theksuar se thjesht e njihte si ministër dhe deputet.

Sakaq, Prokuroria e Elbasanit ka nisur verifikimet mbi aktivitetin e tij dhe nëse mund të justifikojë shumën që i është gjetur. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “fshehje të të ardhurave”. Mësohet se, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të qarkullimit rrugor, Orest Sota iu ishte hequr leja e drejtimit dhe ai prej shumë kohësh nuk kishte mundësi të lëvizte në rregull. Sipas të dhënave të prokurorisë ka dyshime që i riu të ketë zgjedhur hyrjen nëpër Elbasan pikërisht për të shmangur grupet policore që gjenden në rrugën Durrës-Tiranë.

Verifikimi

Ndërsa Gjykata e Elbasanit vendos të lërë në burg të riun i cili ndër të tjera nuk kishte leje drejtimi mjeti, tashmë është prokuroria që do të çojë përpara hetimin e kësaj çështjeje, ndërsa mësohet se ka kaluar për te Krimet e Rënda vetëm çështja e patentave të Saimir Tahirit, i cili pritet të merret në pyetje bashkë edhe me shoferin e vet.

Ndërkohë që ditën e djeshme kanë folur publikisht edhe i ati dhe xhaxhai i djalit të arrestuar, të cilët më shumë se për të mbrojtur djalin 25 vjeç, mësohet se kanë mbrojtur pozicionin e tyre në këtë ngjarje, kujtojmë se xhaxhai i të arrestuarit është kreu i Forcave Speciale të Policisë sonë, prej gushtit të këtij viti. përveç akuzave që janë bërë publike që dy ditë më parë bëhet me dije se Sota akuzohet edhe për mosbindje të punonjësit të policisë, pasi ka tentuar të largohet për t’iu shmangur kontrollit të policisë si dhe drejtim mjeti pa dëshminë përkatëse. Ndërsa Sota ka deklaruar se nuk ka patur asnjëherë kontakt me Saimir Tahirin dhe se e njeh thjesht si ish-ministër dhe deputet, Prokuroria e Elbasanit, saktësohet se nisi verifikimet mbi aktivitetin e tij dhe nëse mund të justifikojë shumën që i është gjetur.

Burime pranë Prokurorisë janë shprehur se policia ka bërë vetë numërimin e parave, duke shtuar gjurmët e gishtave që mund të identifikoheshin në kartëmonedhat e sekuestruara. Hetimi për paratë e gjetura pritet t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda sepse Prokuroria e Elbasanit nuk ka kompetencën për të zhvilluar hetimin pasuror ndaj të riut dhe për të verifikuar mënyrën se si i ka gjeneruar 863 mijë euro cash të pashoqëruar me asnjë faturë apo mandat. Hetimi mësohet se është përqendruar edhe te aktiviteti i djalit që konsiderohet edhe si biznesmen pasi në fakt në emër të tij gjendet një kompani ndërtimi. Kështu mësohet se në emër të Orest Sotës, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është shoqëria “Eco Contruksion and Partners”, e hapur më 6 shkurt të vitit 2015 dhe një ndër punët e para të saj ka qenë rikonstruksioni i Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here