Shkatërrohet rrjeti i falsifikatorëve në Britaninë e Madhe

0
1935

Dhjetra shtetas shqiptarë që janë vendosur në Britaninë e Madhe me dokumenta të falsifikuara, rrezikojnë të penalizohen pas shkatërrimit të një rrjeti trafikantësh me seli në Greqi.

Policia greke ka dhënë të hënën detaje për veprimtarinë e rrjetit që trafikonte kryesisht shtetas shqiptarë, kundrejt pagesash që varionin nga 2.250 deri në 4.500 euro.

Policia ka zbuluar katër laboratorë ku përgatiteshin pasaporta të falsifikuara të shteteve të Bashkimit Europian. Të gjithë laboratorët ishin në zonën e kryeqytetit dhe konkretisht në Neo Kozmos, Platia Koliacu, Pagrati dhe Kato Patisia.

Në të njëjtën kohë, janë arrestuar 20 pjesëtarë të rrjetit, 13 shqiptarë, 4 prej të cilëve kanë edhe nënshtetësinë greke, 3 sirianë, një grek, një irakian, një iranian dhe një bangladeshas.

Gjithashtu janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shqiptarë të tjerë dhe një grek.

Në konferencën për shtyp të shefit të sigurimit publik të Athinës, gjeneral lejtnant Christos Papazafeiris, ishte i pranishëm dhe eksperti i Europolit, shërbim që pati një implikim të madh në gjithë këtë operacion.

Sipas policisë ishte një rrjet mjaft i sofistikuar që vepronte nën masa drakoniane sigurie për mos t’u zbuluar.

“Klientët” kalonin në “face control” dhe intervistë nga vetë drejtuesit e rrjetit, ndërkohë që në fotografitë për pasaportat e falsifikuara ata paraqiteshin të veshur e të mbajtur mjaft mirë me qëllim që mos të zgjonin asnjë dyshim kur kalonin nëpër aeroportet e Europës.

Ata niseshin nga aeroporti ndërkombëtar i Athinës apo aeroporte të tjera greke dhe pasi kalonin tranzit nga shtete si Italia, Spanja, Suedi dhe Irlanda, mbërrinin në Britaninë e Madhe.

Shefi i sigurimit grek tha se janë verifikuar itineraret e shumë prej klientëve të rrjetit dhe janë vënë në dijeni organet homologe në shtetet europiane.

Rrjeti nuk përgatiste vetëm pasaporta, por edhe një mori dokumentesh të tjera falso. Që nga leje drejtimi automjeti të shteteve të ndryshme e deri në kartat e sigurimit shëndetësor.

Një pasaportë falso shitej kundrejt 400-500 eurove, një kartë identiteti 150-200 euro, një leje e drejtimit të mjetit 150 euro, ndërsa çertifikata dhe vërtetime të ndryshme 30 deri 50 euro.

Rrjeti prenotonte e blinte edhe biletat, duke i ofruar të interesuarit një çmim paketë prej 2.250 eurosh. Në rast se tentativa dështonte dhe i interesuari dëshironte të tentonte sërish, atëherë duhej të paguante dhe 2.250 euro të tjera.

Në kuadër të operacionit, policia ka kryer kontrolle në 23 banesa dhe dyqane.

Përveç katër laboratorëve janë gjetur dhe sekuestruar dhjetra vula të shërbimeve të ndryshme publike të Greqisë dhe shteteve të tjera; një mori pasaportash dhe letërnjoftimesh, greke dhe të huaja, leje drejtimi të mjetit, karta bankare greke, një armë zjarri, një automjet dhe tre motoçikleta një shumë parash cash prej 54.815 euro; qindra fletë pagese dhe fletë prenotimi biletash avioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here