Xhaçka takon Williamson: Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë në strukturat e NATO

0
954

Në ditën e parë të Ministerialit të Mbrojtjes, që po mbahet në Shtabin e NATO-s në Bruksel, Ministrja Olta Xhaçka u takua me Sekretarin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Gavin Willliamson, i emëruar pak ditë më parë në këtë post. Në takimin bilateral, z. Williamson vlerësoi nivelin në rritje të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dy palësh, midis dy vendeve.

 

 

“Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë në strukturat e NATO dhe veçanërisht atje ku ne jemi shtet drejtues, siç është rasti i task-forcës së gatishmërisë së lartë. Më lejoni zonja Ministre t’ju shpreh vlerësimin më të lartë për kontributin tuaj të konsiderueshëm, me gjithë kufizimet buxhetore me të cilat përballemi”, tha ai.

Në aspektin operacional, Sekretari Britanik i Mbrojtjes, nënvizoi se numri i stërvitjeve të përbashkëta të zhvilluara mes dy vendeve dhe niveli i tyre i kanë shërbyer rritjes së ndërveprimit mes dy ushtrive aleate. Sipas zotit Williamson, stërvitja e përbashkët “Albanian Lion”, e planifikuar pë tu zhvilluar vitin e ardhshëm në Shqipëri është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ai konfirmoi angazhimin dhe kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të BE, NATO-s dhe aleatëve. Xhaçka, pasi e uroi homologun britanik për detyrën e re, e falenderoi atë për mbështetjen dhe interesin e Qeverisë britanike në marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes.

“Edukimi dhe trajnimit i ushtarakëve shqiptarë janë boshti kryesor i bashkëpunimit mes nesh. Numri në rritje i njerëzve tanë në uniformë, të arsimuar në institucionet tuaja apo rihapja e zyrës së atasheut ushtarak britanik në Tiranë, si tregues i vlerësimit të rolit të Shqipërisë në rajon janë hapa që do të pasohen nga të tjerë në të ardhmen”, deklaroi mes të tjerash Ministrja Olta Xhaçka. Ndërkohë, Xhacka sapo takoi sekretarin e përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here