Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot situatën e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, duke akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se po bashkëpunon me Aleksander Vuçiç, për të populluar trevat shqiptare me refugjatë nga territore të tjera të Ballkanit dhe më tej.
“Denoncuam me ashpërsinë më të madhe qëndrimet albanofobe të Vuçiç dhe të Edvin Kristaq Ramës ndaj shqiptarëve të Preshevës. Në këtë periudhë mjalti midis këtyre të dy zyrtarëve me të lartë të vendeve respektive, regjimi i Vuçiç ka ndërmarrë masa anti-shqiptare ndër më të egrat që ka njohur Presheva, Medvegja e Bujanovci në historinë e tyre. Ai synon ripopullimin e këtyre trevave të pastra shqiptare me refugjatë nga territore të tjera të Ballkanit dhe jo vetëm Ballkanit”, tha Berisha.
Ai rrëfeu më tej se Vuçiç ka zëvendësuar udhëheqësit shqiptarë me vasalë të tij që kanë marrë 50 vendime në një ditë, të diktuara nga Beogradi e me miratimin e kryeministrit shqiptar.
“Për këtë qëllim në dhunim të kushtetutës dhe gjitha konventave ndërkombëtare ka zëvendësuar udhëheqësit legjitimë të Preshevës me vasalë të tij, që në një mbledhje marrin 50 e ca vendime të diktuara nga Beogradi, të miratuara nga Edvin Kristaq Rama”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë sa i përket dënimeve për rastin ‘Kumanova’, Berisha tha se ka kërkuar hetim ndërkombëtar.
“Kam kërkuar hetim ndërkombëtar dhe ndëshkim më forcën më të madhe të gjithë atyre albanofobëve sllavë apo shqiptare. Ka zero interes kombëtar qeveria e Edi Ramës. Një gazetar i njohur do shprehej se kur kishte parë filmin Narkos ka menduar se çfarë sajimesh ka bërë Hollivudi për filmat, por kur skenarët e Ramës ai tha se Hollivudi ka qenë shumë mbrapa”, tha Berisha.