Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i PS për qarkun e Vlorës, Fate Velaj lëshoi deklarata të forta. Ai ka lexuar një letër të qytetarëve të zonës së tij elektorale, ku thuhet se Lulzim Basha ka lidhje me Habilajt përmes bashkëshortes së tij.
Me anë të letrës Velaj thotë se ka zbuluar lidhjet farefisnore të gruas së Bashës me Habilajt, ndihmën ndaj tyre në periudhën e Piramidave dhe lidhjet e tij me ta kur ishte ministër i Brendshëm.
Deputeti tha se PD i ka ndihmuar Habilajt që në kohën e Piramidave të famshme me anë të piramidës “Alimuça”. Ai i thotë gjithashtu Bashës duke cituar letrën e banorëve të zonës, se para se të flasë për Habilajt të konsultohet me kunatin e tij të famshëm dhe vjehrrën e tij. Velaj, teksa citonte letrën, tha se gruaja e Bashës është kusherirë e një personi me mbiemrin Alimuça dhe që është edhe kushëri i Habilajve. Banorët i thonë Bashës “Mos u nxito para se të japësh përgjigje sepse mund të përdoret në hetimin të cilin jemi të sigurtë se do të thellohet”.
Por letra vazhdon më tej me të reja të tjera. Sipas letrës së lexuar nga Velaj, “Basha duhet të pyesë vjehrrën e tij se çfarë e lidh nënën e saj me fisin Habilaj? . Pyete pak edhe vjehrrin tënd si i njeh Habilajt dhe Alimuçajt e Vlorës?. Pyete pak kunatin se kush ishin të fortët që i dolën në krah, teksa ndërtohej hoteli në det? “
Më tej në letrën e lexuar nga Velaj në Kuvend, qytetarët shprehen se ”Basha i njihte Habilajt që kur ishte ministër i brendshëm dhe ata e bridhnin detin ngarkuar sikur ta kishin të babait. Ç’pati Zagani që përmendi një qokë të policisë së Durrësit për ta kur ti ishe në pushtet Lulzim?, vazhdon letra.