Sapo është dekretuar nga presidenti i Republikës Akti Normativ, me të cilin u bënë ndryshime në shifrat e Buxhetit të Shtetit 2017, ky Buxhet ndryshohet sërish. Në Kuvend ka shkuar tashmë akti normativ, me anë të të cilit bëhen sërish ndryshime, duke rialokuar fondet e parashikuara për të mbuluar kategori apo shërbime të ndryshme buxhetore. Qeveria sqaron se ka përdorur pikërisht aktin normativ, i cili ka hyrë menjëherë në fuqi, por pastaj duhet të marrë miratimin e Parlamentit, pasi nuk ka kohë për të pritur për amendimin e zërave të shpenzimeve, me afrimin e fund vitit.
Ndryshimi që do të gëzojë pa diskutim të gjithë kategoritë e pensionistëve në fshat e qytet, si dhe kategoritë e tjera që përfitojnë ndihma si ata me aftësi të kufizuara, etj është ai që ka të bëjë me sigurimin e fondit për shpërblimin e fundvitit për ta. Sipas relacionit shoqërues të Aktit, do të rritet me 1.8 miliardë lekë kontributi nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si rrjedhojë e performancës së lartë në mbledhjen e tyre gjatë periudhës janar-shtator 2017. Kjo rritje shkon tërësisht për bonusin e pensionistëve, me një efekt neutral për buxhetin e shtetit, sqaron qeveria.
Shifra është në masën 13.5 milionë euro dhe, për afro 700 mijë vetë që duhet të përfitojnë shpërblimin, mesatarisht ai duhet të jetë rreth 2.500 lekë të reja. Por kjo shifër mund të rritet, në rast se qeveria Rama vendos të japë edhe fonde të tjera për këtë qëllim.
Lajmi i dytë pozitiv që përmbahet në këtë akt ligjor ka të bëjë me atë se qeveria parashikon të mbyllë tërësisht detyrimin ndaj kategorisë së parë të ish-të përndjekurve, që janë ende gjallë. Dhe kjo do të ndodhë para se ky vit të përfundojë. Akti Normativ parashikon rritjen me 352 milionë lekë të fondit për kompesimin e ish-të përndjekurëve politikë, me qëllim akomodimin e shlyerjes 100% të këstit të tetë dhe të fundit të kategorisë parësore të përfituesve të gjallë, deri në fund të vitit 2017.
Sa u përket ndryshimeve të tjera, qeveria thekson se deficiti buxhetor do të mbetet i pandryshuar, ndërkohë që si të ardhurat, ashtu dhe shpenzimet e buxhetit do të rriten në të dyja kahet me rreth 4.5 miliardë lekë, si pasojë e performancës së mirë të administratës fiskale. Qeveria premton shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura deri në fund të vitit 2017, me fokus kryesor pagesën e TVSH&kostos lokale për sektorin e infrastrukturës rrugore dhe atë të ujësjellës-kanalizimeve. Po kështu, do të rritet me 3.5 miliardë lekë kontributi nga taksat vendore. Kjo për arsye se të ardhurat nga taksat dhe tarifat e pushtetit vendor gjatë këtij viti janë rritur dukshëm në karahasim me parashikimin. Këto të ardhura janë rritur nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja.
Sa u përket investimeve, Akti parashikon rialokimin e shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri të ngadaltë, tek ato me ecuri të lartë, në rreth 2.4 miliardë lekë në total, ku rreth 600 milionë lekë do të shkojnë vetëm për shpronësime. Po kështu, rritjen me 200 milionë lekë të zërit “Mirëmbajtje rrugore”, me qëllim financimin e detyrimeve ekzistuese të kontratave të mirëmbajtjes së akseve kombëtare.
Sa u përket çështjeve ligjore, ndryshimet konsistojnë në rritjen me 150 milionë lekë të buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë për rikonstruksionin e godinës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit; rritjen me 127 milionë lekë të shpenzimeve korrente për të përballuar faturat e përfaqësimit të Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të gjykatave ndërkombëtare, me qëllim evitimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura, etj.
Ndërkohë, nisur nga kërkesat e aleatëvë për të rritur shpenzimet për mbrojtjen, buxheti do të ndryshohet më qëllim rritjen me 100 milionë lekë të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, për përmbushjen e një sërë detyrimeve në kuadër të përfaqësimit në NATO.
Kurse buxheti i Radiotelevizionit Shqiptar do të përfitojë nga shtesa e 100 milionë lekëve për mbulimin e shpenzimeve të implementimit të platformës së digjitalizimit.
Ministrisë së Brendshme i shtohen 10.9 milionë lekë për funksionin e mbrojtjes nga zjarri, ndërkohë që për dikasterin e Arsimit shkojnë edhe 15.1 milionë lekë për financimin e shpenzimeve të personelit në arsimin parashkollor dhe në arsimin parauniversitar.