Pas lajmit se kryeministri Edi Rama do mbledhë sot e nesër në Dibër ministrat, ka reaguar deputeti i LSI-së i qarkut Dibër Përparim Spahiu.
Ai bën ironi me këtë mbledhje por thotë se Dibra di t’i presë jabanxhinjtë. Ai deklaron se nuk e lan i gjithë uji i Korabit e as Drini poshtërsitë që i kanë bërë Dibrës! E në fund i uron ju bëfshin mirë jufkat.
“Kjo është qeveria e parë në histori pa Dibranë! Mirësevini në Dibër! Dimë si t’i presim jabanxhinjtë! Këta të fundit pasi na sollën hashashin, na sollën dhe vehten që ti njohin dibranët!
Mirë e bënë. Shihini mirë o njerëz, kjo është qeveri jabanxheshe që na solli drogë e krim! Nuk e lanë i gjithë uji i Korabit e as Drini poshtërsitë që i kanë bërë Dibrës! Sidoqoftë, mirësevini në Dibër e ju bëfshin mirë jufkat!”, shkruan Spahiu.