Një soprano e jashtëzakonshme dhe me talent të pakufi, Artistja e Popullit, pedagogia e shquar e shkollës shqiptare të kantos është figura për të cilën do t’ju ftoj të lexoni më poshtë.
Kjo figurë, që mbulon çdo dimension të kantos, është e madhja Marie Kraja. Ajo u lind në vitin 1911 në Zara të Dalmacisë dhe u formua në një familje shkodrane me kulturë të gjerë dhe atdhedashuri të rrënjosur thellë. I ati ishte Ndue Paluca, veteran i arsimit kombëtar, hulumtues i pasurive kulturore e shpirtërore të kombit, si dhe aktivist i shoqatave kulturore e patriotike të kohës.
Duket se, falë të atit, ajo do të trashëgonte farën e ndjenjës kombëtare dhe dashurisë për krijimtarinë e popullit të saj, farë të cilën do ta mbillte në truallin e talentit dhe do ta ushqente me krijimet e saja.
Të studionte për kanto në Shqipëri ishte njëlloj si “me mih në ujë”, prandaj shkon në Grac të Austrisë, ku merr kulturë të gjerë muzikore dhe herë-herë interpreton shoqëruar nga kompozimet e Bethoven, Brunker, Vanger, Pucini, Verdi e Moxart.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Me zërin e saj, ajo çoi në veshin e artdashësve vjenezë edhe muzikën e bukur shqiptare për interpretimin e së cilës mori vlerësime maksimale, qoftë nga profesorët e saj, qoftë nga dëgjuesit e thjeshtë.
Me mbarimin e Konservatorit, atdhedashuria e rrënjosur nga i ati e bën Marien të kthehet në atdhe, ku në vitin 1934 emërohet mësuese muzike në gjimnazin “Donika Kastrioti” të qytetit të Shkodrës. Po atë vit, në ditën e parë të shtatorit, jep koncertin e parë në sallën e Bashkisë së Tiranës, shoqëruar në piano nga pianisti i shkolluar në Itali Tonin Guraziu.
Aq mirë kombinoi zëri i Maries me notat e pianos së Toninit sa ato vendosën të vazhdonin bashkëpunimin edhe më tej, në të parin koncert të muzikës klasike në Shqipëri, mbajtur në kinema “Rozafat” në Shkodër, organizuar nga Shoqëria “Vllaznia” në mars të vitit 1936. Ajo këndoi përkrah Tefta Tashkos e Jorgjia Trujës, duke i dhënë një nur të rrallë të parit aktivitet koncentral të muzikës klasike shqiptare.
Zëri i saj kishte tipare të qarta sopranoje, të cilat u kristalizuan së pari në rolin e Ollgas në operan “Rulaska”, në vitin 1950, e pas vitit 1953, ka pak opera të interpretuara në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku Maria nuk është protagoniste.
Kur ishte në Konservatorin e Gracit, mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tande” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, duke i dhënë studimit të muzikës shqiptare një tjetër karakter dhe duke hapur një faqe të re në këtë fushë studimore.
Me dëshirë, Maria e mbylli karrierën e saj si pedagoge e kantos në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ndërkohë sot organizohet në Tiranë “Konkursi Ndërkombëtar i Vokalit Operistik Marie Kraja” me pjesëmarrje vokalistësh nga vende të ndryshme të botës.