Kryeministri Edi Rama ka bërë një propozim surprizë ditën e sotme, teksa i ka përcjellë Presidentit Ilir Meta emrin e Visho Ajazi Likës për ambasador të Shqipërisë në NATO.
Tashmë pritet që kreu i shtetit të firmosë propozimin e kryeministrit, përparav se Visho Ajazi Lika, ish-kryetar i SHISH-it, i dorëhequr nga kjo detyrë më 30 tetor, të marrë detyrën e re.
Po kush është ambasadori që pritet të zëvendësojë Visho Ajazi Lika në NATO?
Prej nëntorit të 2013-ës këtë detyrë e kryen ish-deputeti demokrat Leonard Demi, i cili u propozua në këtë funksion nga kryeministri Edi Rama, vetëm pak muaj pasi u ul në karrigen e kryeministrit, pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti.
Rama në atë kohë surprizoi teksa i propozoi Presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani, të dekretonte ish-deputetin e PD-së, i cili ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e Shqipërisë, për ambasador të Shqipërisë në NATO.
Sipas Kushtetutës, ministri i Jashtëm i propozon Kryeministrit kandidatin për ambasador dhe kreu i qeverisë ia paraqet Presidentit për ta emëruar.
Në Rregulloren e Kuvendit parashikohet se kandidatët për ambasadorë, përpara se t’i propozohen Presidentit për t’i emëruar, kalojnë në një seancë dëgjimore në Komisionin e Punëve të Jashtme.
Relacioni që përgatitet nga Komisioni i bashkëngjitet dosjes së secilit kandidat kur i dërgohet kreut të shtetit për ta firmosur.