Profesor Çapajev Gjokutaj në një koment për gjakmarrjen shqiptare dhe statistikat që vijnë nga Shkodra për këtë fenomen, zbulon “prapaskenat” e Organizatave Jo Fitimprurësë.
Sipas Gjokutajt, OJFT-të financohen përgjithësisht nga të huajt dhe vëmendja e tyre mund të tërhiqet më lehtë me dukuri e ngjarje dramatik e pronditëse.
“Mediat jo rallë janë të interesuara që vrasjet për hakmarrje t’i quajnë ‘gjakmarrje’. Vrasja për hakmarrje është një krim gjithsesi i rëndomtë, krahasuar me gjakmarrjen që ka brenda teatër, primitivizëm, ekzotizëm etj. Ekzotizmi bëhet faktor veprues sidomos për mediat e huaja të cilat duket se i thonë lexuesit perëndimor: afër nesh, ka njerëz që jetojnë shekuj larg nesh.
OJF-të tona financohen përgjithësisht nga të huajt. Vëmendja e donatorit mund të tërhiqet më lehtë me dukuri e ngjarje dramatike, tronditëse, që kanë ndikim tragjik tek bashkësia. Gjakmarrja i prezanton të gjitha këto më mirë se sa vrasja për hakmarrje. Të mos flasim pastaj për disa shoqata pajtimi gjaqesh, që kanë shitur dëshmi se ky apo ai është në gjak
Turp, që si shoqëri marrim pjesë në farsa të tilla, që sublimojnë vrasjen, kriminelët dhe lloj lloj matrapazësh. Kurse vulën e turpit na e vënë ne, si popull e si komb. Vuajtjet ia faturojnë bashkësisë dhe, kulmi i kulmeve, vrasin fëmijërinë e dhjetra krijesave të pafajshme”, shkruan Gjokutaj.
KOMENTI I PLOTË I ÇAPAJEV GJOKUTAJT:
Para 2-3 ditësh BBC foli për gjakmarrjen shqiptare. Thoshte se vetëm në rajonin e Shkodrës ka 68 familje të ngujuara. Pastaj shtonte se gjakmarrja sot nuk bëhet sipas kanunit. Ky nuk lejon të marrësh gjak duke vrarë fëmijë dhe gra. Megjithatë, në odat e ngujimit sot shumica janë fëmijë dhe gra.
Nuk besoj se kemi pritur BBC-në për të kuptuar se ajo që sot e paraqesim si gjakmarrje është një hakmarrje primitive. Historikisht gjakmarja synoi të zëvendësonte hakmarrjen duke vendosur disa rregulla për të reduktuar pasojat e për të bërë drejtësi.
Sot ajo qe quhet ‘gjakmarrje’ është kthyer shekuj prapa, bëhet pa rregull e kanun, lehtëson vrasësin dhe shumicën e pasojave ia faturon bashkësisë.
Duket sikur hakmarrjen primitive e quajmë ‘gjakmarrje’ thjesht për forcë zakoni. Në fakt kemi një qasje hipokrite që buron nga interesa konkrete e meskine.
Krimineli, ai që bën vrasjen, është i interesuar të thotë se vret për gjakmarrje. Qetëson veten dhe justifikohet para të tjerëve: vërtetë vrava, por e bëra për fisin, kanunin, porosinë e të parëve.
Përdorimi i termit ‘gjakmarrje’ shërben edhe për të arritur qëllime praktike. Shumë azilkërkues e përdorin gjakmarrjen si alibi, pretndojnë se kanë rënë në gjak dhe këtë e bëjnë thjesht për të siguruar qendrimin në emigracion.
Mediat jo rallë janë të interesuara që vrasjet për hakmarrje t’i quajnë ‘gjakmarrje’. Vrasja për hakmarrje është një krim gjithsesi i rëndomtë, krahasuar me gjakmarrjen që ka brenda teatër, primitivizëm, ekzotizëm etj. Ekzotizmi bëhet faktor veprues sidomos për mediat e huaja të cilat duket se i thonë lexuesit perëndimor: afër nesh, ka njerëz që jetojnë shekuj larg nesh.
OJF-të tona financohen përgjithësisht nga të huajt. Vëmendja e donatorit mund të tërhiqet më lehtë me dukuri e ngjarje dramatike, tronditëse, që kanë ndikim tragjik tek bashkësia. Gjakmarrja i prezanton të gjitha këto më mirë se sa vrasja për hakmarrje. Të mos flasim pastaj për disa shoqata pajtimi gjaqesh, që kanë shitur dëshmi se ky apo ai është në gjak
Turp, që si shoqëri marrim pjesë në farsa të tilla, që sublimojnë vrasjen, kriminelët dhe lloj lloj matrapazësh. Kurse vulën e turpit na e vënë ne, si popull e si komb. Vuajtjet ia faturojnë bashkësisë dhe, kulmi i kulmeve, vrasin fëmijërinë e dhjetra krijesave të pafajshme.