Kuqezinjtë fitojnë 2 me 3 brenda në Antalia
Kuqezinjtë i kanë bërë një mbyllje të shkëlqyer vitit ku fitorja në transferte me kombëtaren turke ishte me të vertete mbresëlënëse. Me një ekip disi të ri, pasi mungonin disa titullarë me peshe, dhe aq më tepër që luhej përballë një kundërshtari me potencial si Turqia, kombëtarja shqiptare e drejtuar nga italiani Kristian Panuçi ka dalë fituese. Befasia është edhe më e madhe kur ky sukses arrihet në shtëpinë e turqve, në një stadium si Antalia ku mbështetja e tifozërisë vendase ishte maksimale. Dy golat e shpejtë dhe mjeshterorë të shënuar nga Armando Sadiku kanë shtangur mijera tifozë turq ne 45 minutat e para. Krose e përpikta të Odise Roshit në zonën turke që shfrytëzohen në mënyrën më të mirë nga Armando Sadiku u shnderruan ne gola në minutën e 24-t dhe të 39-të. Por, përpos avantazhit 0 me 2, ajo që tërheq vemendjen në lojen e tanëve është dalja me karton të kuq pas dy të verdhave radhazi të Memushajt, i cili që prej minutës së 41-të e lë Shqipërinë me një lojtar më pak në fushën e lojës. Fillimi i frikshem i turqve në startin e 45 minutave të dytë teksa shënojnë dy minuta pas startit të kësaj pjese me anë të Under u duk se Shqipëria do të shpartallohej, pasi për hirë të së vertetes presioni vendas ishte i madh në portën e Berishes. Megjithatë, në skenë del gjakovari Eros Grezda, ndër talentet më të spikatur të kombëtares sonë, i cili me golin e tij të minutes së 55 e çon në 3 me 1 avantazhin. Pesë minuta më vonë, turqit arrijnë të shënojnë përsëri, këtë radhe me anë të Akbaba duke e ngushtuar rezultatin në 2 me 3, por qe do te rezultonte perfundimtari. Nderhyrjet e Panuccit me ndryshimet e lojtareve dhane efektin e duhur.