Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko ka shmangur sot përgjigjet mbi aksionerët offshore të Abi Bank, e cila ka një nga drejtuesit kryesorë Linda Ramën, bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama.I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, Sejko ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se paratë e krimit rrezikojnë të prekin sistemin bankar, nëpërmjet programit 1 mld euro të qeverisë.
Por guvernatori ka shmangur përgjigjet mbi pyetjet që i janë drejtuar përsa i takon personave që po futen në sistemin bankar shqiptar. “Banka Abi Bank është liçensuar nga BSH edhe pse ka aksionerë kompani offshore, me shumë pak aktivitet financiar. (duke e bërë jo transparente burimin e financimit). Meqënëse jeni në komision për herë të parë mbasi është bërë publik ky infomacion. A keni kontrolluar ju se cilët janë personat qe po futen ne sistemin tonë bankar? Sa serioze ju duken këta aksionerë?”, ishte një nga pyetjet që iu drejtua guvernatorit nga deputetja demokrate Jorida Tabaku, për të cilin Sejko nuk dha përgjigje.