Në listën e rekomandimeve që ka bërë Banka e Shqipërisë, në seancën e sotme të Komisionit të Ekonomisë, lidhur me pr.buxhetin 2018, theksohet ai për koncesionet. Guvernatori Sejko tha se struktura e parashikuar e PPP-ve merr parasysh rreziqet duke vendosur kufi dhe duke listuar projektet e reja. Por, sipas tij, duhet pasur kujdes të mëtejshëm.
“Vlerësoni një kufi të sipërm të përgjithshëm, kjo gjë do të disiplinonte vëllimin total të këtyre projekteve, cilëson se sa peshë zë në buxhet. Gjithashtu, duhet konsideruar rritja e kapaciteteve të monitorimit të këtyre projekteve, si dhe ofrimi i standardeve më të mira.”- tha guvernatori.
Guvernatori Sejko, në opinionin e dhënë mbi pr.buxhetin 2018, theksoi rëndësinë e rritjes së qëndrueshmërisë së financave publike. Sipas guvernatorit, ekonomia është në trend pozitiv zhvillimi, e favorizuar nga përmirësimi i ambientit të jashtëm dhe politikat e duhura të brendshme
Guvernatori tha se kushtet e financimit janë të përmirësuara, konsolidimi fiskal ka reduktuar primet e rrezikut, si dhe ka rritur kreditimin për sektorin privat.
Sejko theksoi sakaq se mbikëqyrja e mëtejshme e sektorit privat do të ndihmojë në qëndrueshmërinë
“Sipas analizës sonë, premisa e zhvillimit mbeten pozitive, duhen mbështetur nga politika të mira të brendshme. Duhet synuar ulja e borxhit publik, që do të vijonte rrugën e konsolidimit. Pr.buxheti 2018 do të forcojë ekuilibrat makroekonomik dhe rrit investimet e huaja.”
Sejko ka vlerësuar parashikimin e uljes së borxhit publik në vitin 2018, me 2.5 pikë përqindje, kjo gjë do të rrisë rrugën e konsolidimit ekonomik. AI tha gjithashtu se projeksionet e politikave tatimore dukën konsistente. Guvernatori vlerëson sakaq edhe përmirësimin e aktivitetit ekonomik në linjë me formalizimin e ekonomisë. Sipas analizës që Sejko citoi para deputetëve ne komision, në vitin 2018 ndikimi inflacionist pritet i ulët dhe pr.buxheti plotëson kërkesat për frymën e investimeve të huaja.
Sa i përket borxhit publik, guvernatori bëri me dije se niveli i tij ka lidhje me shëndetin e brendshëm financiar, ndaj është primare ruajtja e vlerësimit të tregjeve te brendshme.
REKOMANDIMET E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deficiti i skemës shoqërore dhe shëndetësorë: Sa i përket pensioneve, mbeten barrë e rëndë për buxhetin. Duhen monitoruar, implikimet e tyre duhet të vlerësohen me seriozitet, merrni masa korrektuese. Krijoni skema privatë të pensioneve, gjë që do të lehtësonte barrën mbi buxhet.
Partneritet Publik-Privat: PPP – në projektbuxhetin e 2018 merret parasysh rreziqet duke vendosur kufi dhe duke listuar projektet e reja. Vlerësoni një kufi të sipërm të përgjithshëm, kjo gjë do të disiplinonte vëllimin total të këtyre projekteve, cilëson se sa peshë zë në buxhet. Gjithashtu, duhet konsideruar rritja e kapaciteteve të monitorimit të këtyre projekteve, si dhe ofrimi i standardeve më të mira.
Financimi i borxhit publik: duhet përqendruar në tregun e brendshëm dhe në monedhën vendase. Eviton luhatjen e kursit të këmbimit.
Guvernatori Sejko, në fund të fjalës së tij, i adresoi Komisionit edhe dy shqetësime të konstatuara nga Banka:
Respektimi i deficitit buxhetor të 2018- tërheq vëmendjen duhet e fiksuar si objektiv i panegociueshëm. Duhen plane paraprake për n.q.s deficiti tejkalohet. Shpërndarja e shpenzimeve buxhetore, rrit efektivitetin e politikës fiskale.