Gjoni: Jemi më të mirët në Rajon, Europiani në fokus
7 medaljet e arta dhe dy trofetë e fituara si ekip dhe dy të tjera si boksieri më i mirë i aktivitetit e kanë rritur në mënyrë të ndjeshme nivelin dhe reputacionin e boksit shqiptar. Rezultate këto që tregojnë se ky sport është në ditët e ti më të mira. Tashmë boksierët tanë, jo vetem që garojnë si të barabartë me çdo boksier të huaj, por bazuar në arritjet e periudhës së fundit, ato figurojnë të jënë më të mirët në rajon. Shembulli më i freskët janë sukseset e dy turneve të fundit, ku kombëtarja e Shqipërisë që drejtohet nga trajneri shkodran Zef Gjoni dhe që baza kryesore e formacionit është me boksierë të Vllaznisë sfidoi kombëtare me emër si ato të Kroacisë, Serbise, Sllovenisë, Bosnjes, Maqedonisë, Kosovës, etj.
Veprimtaria e fundit e boksit shqiptar për ballafaqimin kombëtar është Kupa e Shqipërisë, ku sipas kalendarit të Federatës Shqiptare të Boksit, ndeshjet e saj do të zhvillohen në qytetin e Shkodrës. Një gjë të tillë e konfirmon edhe trajneri Zef Gjoni, që tashmë në cilësinë e trajnerit të ekipit të Vllaznisë, ai bën të ditur se ashtu si edhe në Kampionatin Kombëtar ku kuqeblutë u shpallen kampion si ekip, edhe këtë radhë kanë të njëjtin objektiv, fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë. Sipas tij, ky aktivitet është planifikuar në vetem një ditë, ku ndeshjet do të startojnë që nga ora 16.00 e datës 22 nëntor, në përfundim të cilit do të shpallen fituesit si ekip dhe si individe.