Banka Botërore: Nuk u jepen në çdo rast koncesionet privatëve

0
822

 

Një opinion lidhur me Partneritetin Publik-Privat në Shqipëri ka dhënë dje edhe Banka Botërore, natyrisht në një nivel shumë më profesional se sa debatet e zhvilluara për këtë çështje në Kuvendin e Shqipërisë. Duke prezantuar dje raportin e radhës kushtuar zhvillimeve ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesit e BB në Tiranë u shprehën se, në parim, investimet nëpërmjet PPP-ve nuk mund të quhen negative, por jo çdo investim duhet të bëhet nëpërmjet kësaj formule.

“Jo çdo investim mund të bëhet me koncesion. Disa duhet të jenë në mënyrë strikte investime të qeverisë, disa të tjera private. Por të gjitha duhet të shihen në kontekstin e një strategjie kombëtare. Qeveria duhet të shohë cili projekt ka leverdi dhe, gjithashtu, duhet të mendojë për disa faktorë, kur miraton një PPP: transparencën, kërkesën e llogarisë; duhet të shohë pasojat fiskale, sepse, në fund të fundit, ato do të paguhen nga taksapaguesit dhe kjo do të sjellë pasoja tek borxhi. Pra, e rëndësishme është që ai borxh, ose ai investim, të sjellë përfitime”, deklaroi Maryam Salim, drejtoreshë e BB për Shqipërinë. Projektet madhore të partneritetit publik – privat, sipas BB, duhet të ndërmerren në kuadër të një planifikimi strategjik dhe të mbështeten në analiza të kujdesshme të kostove dhe përfitimeve.

“Diskutimi i PPP–ve ndodh kudo në botë, jo vetëm në Shqipëri. Kjo ndodh sepse nevojat për të përmirësuar infrastrukturën e vendeve janë më të mëdha se mundësitë investuese të qeverisë, tha më tej Salim. Pyetja shtrohet nëse PPP janë instrumenti i duhur. Ato mund të jenë shumë efikase, sepse mund të thithin kapitale në ekspertizën e sektorit privat për investimet publike, por ajo çka është e rëndësishme në thelb është nëse investimet e justifikojnë apo jo vlerën që do të paguhet për të. Kur flasim për investime në infrastrukture, qeveria duhet të vlerësojë në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të vendosë disa prioritete lidhur me ato investime, që janë më të domosdoshme. Një investim i mirë duhet të mbulojë kostot në të ardhmen dhe të ketë një logjikë ekonomike”, shtoi ajo.

Sipas Bankës Botërore, në fakt qeveria ka bërë disa hapa përpara përsa i takon transparencës, duke zbardhur listën e plotë të kontratave aktive dhe të atyre të planifikuara për t’u dhënë gjatë vitit të ardhshëm. “Por ne rekomandojmë që, krahas publikimit të këtyre kontratave, ato të fillojnë të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, në llogaritë fiskale, borxhin dhe çdo gjë që mund të jetë e lidhur me to”, u shpreh nga ana e saj edhe Hilda Shijaku, ekonomiste e BB.

Institucionet

Me këto rekomandime, Banka Botërore qendron në një linjë me FMN-në, e cila këmbëngul që autoritetet shqitare të bëjnë një analizë të hollësishme kosto-përfitime, për të gjitha projektet që qeveria shqiptare kërkon të realizojë përmes partneriteteve publike-private, si dhe raportim të tyre sipas standardeve ndërkombëtare, çka nënkupton që ato të regjistrohen si borxh publik dhe të mos jenë borxh i fshehur. Dhe kjo, në kushtet kur borxhi publik është në nivele shumë të larta, paksa nën 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përbën një shqetësim për rreziqet që mund të sjellin investime të tilla në perspektivë.

Ndërkombëtarët

BB, si dhe FMN, këmbëngulin që autoritetet shqiptare të bëjnë një analizë të hollësishme kosto-përfitime për të gjitha projektet që qeveria kërkon të realizojë përmes partneriteteve publike-private

Projektet

Kudo në botë PPP-të janë instrument i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës. Por, ky instrument duhet të përdoret për projekte me fizibilitet të lartë si për shembull hekurudha e të tjera të ngjashme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here