Këshilli Kombëtar i Restaurimeve me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, ka miratuar zonat e mbrojtura për 12 objekte me status monument kulture.
Me anë të këtij vendimi, për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistiko-estetike, me rrethinën si dhe me rrethanat ekologjike.
12 zonat e mbrojtura të miratuara së fundmi i shtohen listës prej 89 zonave të tjera të monumenteve të kulturës të shpallura përgjatë periudhës 2014-2017 nga Instituti i Monumenteve dhe Ministria e Kulturës, shkruan “ata”.
Mbrojtja e zonave përreth objekteve të trashëgimisë ka qenë një ndër masat e para që ministrja Mirela Kumbaro ndërmori në mandatin të saj të parë në krye të Ministrisë së Kulturës duke pezulluar edhe lejet zhvillimore që preknin këto zona për shkak të gjendjes alarmante që paraqitej 4 vjet më parë.
Tashmë zonat përreth objekteve të trashëgimisë mbrohen si pasuri publike dhe si pjesë përbërëse e panoramës dhe e peizazhit natyror, i cili ndihmon në ruajtjen dhe evidentimin e Trashëgimisë Kulturore.
Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen pas një studimi të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, me qëllim mbrojtjen e territorit përreth monumentit të kulturës, ku ndalohet çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor.
Lista e Zonave të Mbrojtura të Monumenteve të Kulturës të miratuara në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve janë:
1. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Kisha e Shën Mëhillit”, Vithkuq, Korçë
2. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ujësjellësi i Vranishtit”, fshati Vranisht, Bashkia Vlorë
3. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Bratajt”, fshati Brataj, Bashkia Vlorë
4. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Frëngut” fshati Gjorëm, Bashkia Vlorë
5. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Kaurit (frëngut)” fshati Poshnje, Bashkia Ura Vajgurore
6. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Tamarës mbi lumin Cemi i Vuklit dhe Hani pranë saj”, fshati Tamarë Kelmend, Bashkia Shkodër
7. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Vashës”, fshati Klos, Bashkia Mat
8. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ujësjellësi i Bënçës”, fshati Bënçë, Bashkia Tepelenë,
9. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Kamares”, në Fshatin Mirakë, Bashkia Librazhd
10. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Mesit mbi Përroin e Kirit Mes”, Bashkia Shkodër
11. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Ura e Zotos”, Vithkuq, Bashkia Korçë
12. Miratimin e propozimit të IMK-së për shpallje të Zonës së Mbrojtur “Kisha e Shën Mërisë, Vithkuq” Bashkia Korçë.