Tatimet nuk mund të vëndosin gjoba për të vetëpunësuarit mbi 16 vjeç në familje

0
1142

Administrata tatimore informon të gjithë tatimpaguesit persona fizikë të vetpunësuar se në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes, Administrata Tatimore nuk aplikon gjoba për mosdeklarim të punonjësve në organin tatimor.

 

 

– Evidentimi i personit të papaguar të familjes bëhet nëpërmjet kartës së identitetit, lejes së drejtimit të automjetit apo pasaportës. Në rast se personi nuk disponon asnjë mjet identifikimi në momentin e konstatimit atëherë punonjësi i tatimeve pasqyron në akt konstatimin përkatës të dhënat e identiteti të tij, përkatësisht emri, atësia, mbiemri dhe ditëlindja. Në këtë rast, pas konstatimit, tatimpaguesit përkatës i lihet kohë deri në 5 ditë kalendarike që të vërtetojë pranë organit tatimor se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes ose që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin, sipas kuptimit në Kodin Civil.

– Si dokument që vërteton se personi është person i papaguar i familjes së personit fizik të vetëpunësuar shërben certifikata familjare e të vetëpunësuarit. Sipas Nenit 119, pika 1, Ligji Nr. 9920/2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar si dhe pika referuese 119.2, e Udhëzimit të Ministrit të Financave dalë në zbatim të tij.

Është detyrim i cdo tatimpaguesi, person fizik i vetëpunësuar, që brenda 5 ditëve kalendarike nga data e aktkonstatimit që është mbajtur nga kontrollorët në vend, të njoftojë drejtorinë rajonale tatimore, e cila me të drejtë hyrjeje në regjistrin e gjendjes civile nëpërmjët portalit e-albania, vërteton faktin nëse punonjësi i konstatuar si i paregjistruar rezulton si person që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin.

Bazuar në VKM Nr. 77, datë 28.1.2015 “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”,paragrafi I, gërma dh) pjesëtarët e familjes, që punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht me të vetëpunësuarin, person fizik, sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor.

Çdo veprim abuziv i inspektorëve të administratës tatimore, që bie ndesh me parashikimet e shpjeguara në këtë njoftim duhet të denoncohet sa më parë nëpërmjet telefonit në numrin jeshil pa pagesë 0800 14 14, si dhe në rrugë elektronike ose shkresore pranë zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, njoftojnë tatimet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here