Vetingu, ja çfarë përfiton kush dëshmon kundër gjyqtarëve 

0
818

 

Procesi i zbatimit të ligjit të Vetingut ka hyrë në një fazë të rëndësishme, atë të administrimit të dëshmive të qytetarëve kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në praktika korruptive. Për herë të parë, qytetarët shqiptarë, të cilët kanë pasur përvoja negative në përballjen me drejtësinë, mund të japin kontributin për të larguar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar nga drejtësia e re.

Dështmitë e tyre për afera dhe emra konkretë do të kenë një rol vendimtar në procesin e skanimit të mbi 750 prokurorëve dhe gjyqtarëve për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgatitur një formular për denoncimet nga publiku, me qëllim informimin nga qytetarët mbi faktet ose rrethanat që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit.

Shqiptarja.com zbardh kushtet e dëshmisë dhe përfitimet e qytetarit që denoncon një gjyqtar, i cili ka marrë para në këmbim të dhënies së drejtësisë apo të marrjes së një vendimi të padrejtë kundër shtetit dhe individëve.

Përfitimet
Qytetarët që do të denoncojnë fakte dhe rrethana kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve ndahen në dy grupe. Në grupin e parë përfshihen personat që mund të paraqesin fakte dhe prova, por që mund të mbeten anonimë si dhe në persona që bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë. Në grupi e dytë përfshihen personat që kanë marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit.

Ata mund të fitojnë statusin e bashkëpunëtorit në këmbim të dëshmisë. Këta persona kanë mundësi që të rimarrin mbrapsht paratë që u kanë dhënë prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt dhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100 000 lekë pa shkak të ligjshëm, që nga 1.1.2006. Personi që bashkëpunon me drejtësinë amnistohet, pra nuk ndiqet penalisht për aferën që ka kryer me gjyqtarin apo prokurorin.

Gjithashtu, bashkëpunëtorit i sigurohet mbrojtje për jetën e tij dhe të familjes. Në bazë të rëndësisë së dëshmisë, bashkëpunëtorit mund t’i ofrohet edhe strehim bashkë me familjen, sipas statusit. Ndërkaq, të drejtat dhe interesat e personave që denoncojnë, por që nuk janë bashkëpunëtorë të drejtësisë, mbrohen automatikisht në mënyrë të besueshme, të efektshme dhe të përshtatshme, sipas standardeve të parashikuara në ligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

Kushtet e dëshmisë
Personi, për të marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duhet të japë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit. Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë gjithashtu informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit.

Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore. Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë nuk dorëzon provat pranë institucioneve të rivlerësimit ose jep dëshmi të rreme, për të cilën mban përgjegjësi penale, sipas legjislacionit penal.

Nga ana tjetër, heqja dorë e personit nga raportimi nuk sjell pushimin e hetimit, nëse Komisioni ose Kolegji i Apelimit çmon se veprimi ose praktika e dyshuar përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për fillimin e hetimit kryesisht.

Dy grupet
Në grupin e parë përfshihen personat që mund të paraqesin fakte dhe prova, por që mund të mbeten anonimë si dhe në persona që bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë. Në grupi e dytë përfshihen personat që kanë marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit.

Bashkëpunëtori
Këta persona kanë mundësi që të rimarrin mbrapsht paratë që u kanë dhënë prokurorëve dhe gjyqtarëve. Bashkëpunëtorit i sigurohet mbrojtje për jetën e tij dhe të familjes. Në bazë të rëndësisë së dëshmisë, bashkëpunëtorit mund t’i ofrohet edhe strehim bashkë me familjen, sipas statusit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here