Vllaznia B akuzon: Në Shijak fituam mes grushteve

0
1213

Vllaznia B fitoi papritur sot në Shijak, duke arritur një sukses 3-1 ndaj Erzenit, që e ngjit jo pak në renditje. Megjithatë, as fitoret nuk ia kthejnë humorin ekipit të dytë të Vllaznisë, që është ankuar për mungesën e mbështetjes nga klubi në të shkuarën, ndërsa tani akuzon Erzenin për dhunë. Skuadra shijakase nuk e ka pranuar humbjen ndaj Vllaznisë B dhe ka goditur edhe lojtarë të këtij ekipi, sipas asaj që deklaron trajneri i shkodranëve, Ervis Kraja, në një prononcim për Shkodra.Neës. Ai tregon se çfarë ka ndodhur sapo ka përfunduar takimi: “Është e vërtetë që ka pasur përleshje pas ndeshjes me Erzenin. Siç duket, lojtarët dhe tifozët e ekipit vendas nuk e pranuan humbjen ndaj ekipit tonë. Sapo përfundoi takimi, pati përplasje mes lojtarëve. Dua të theksoj se dy lojtarët e ekipit tonë, Suad Bega dhe Mario Kola janë goditur me grushte nga lojtarët vendas dhe kanë rënë përtokë. Ky nuk është futboll. Është turp që ndodh një gjë e tillë, FSHF duhet të marrë masa ndaj këtyre fenomeneve. Përveç goditjes nga lojtarët, ka pasur ndërhyrje në fushë edhe nga tifozët që kanë tentuar të godasin lojtarët tanë. Nga ana tjetër, forcat e policisë ishin të pafuqishme për të reaguar dhe nuk e di pse. Kemi qëndruar për disa minuta të mbyllur në dhomat e zhveshjes”.

Vllaznia B ka akuzuar edhe Korabin për pritjen në Peshkopi, pak javë më parë, por si zakonisht në kategoritë e ulta, është e pamundur të gjenden pamje filmike dhe nuk dihet realisht çfarë ka ndodhur në Shijak, aq më shumë që gjithçka varet nga raporti i arbitrit dhe vëzhguesit e delegatit të ndeshjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here