Një nga klubet historikë të futbollit në Shqipëri ka falimentuar. “KF Vllaznia”, 9 herë kampione e Shqipërisë dhe 11 herë nënkampione, po lëviz prej vitesh në ujëra të turbulla në Superligë. Vitin e kaluar mbijetuan në javën e fundit, ndërsa këtë vit, sërish janë pretendentë për të rënë një kategori më poshtë, për herë të parë në historinë e tyre.
Tpz.al ka siguruar disa dokumente nga Bashkia e Shkodrës, e cila zotëron të gjitha aksionet e klubit por që kërkon ta shesë. Kjo bashki, në datë 16 nëntor 2017, ka hapur një tender për “shërbim konsulence”, për vlerësimin e aseteve dhe përgatitja e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve të Bashkisë Shkodër të Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Edhe pse është bashkia më e madhe në veri të vendit, kryetarja e saj, Voltana Ademi ka ndërmend tia u jap privatëve, dhe për këtë ajo do të paguajë një konsulencë, me rreth 833,333 lekë.
Menaxhimi i dobët i klubit
Klubi i Futbollit Vllaznia është themeluar si shoqëri aksionare me dt. 29.8.2011, me aksionar te vetem 100% Bashkia Shkodër dhe me nje kapital fillestar prej 2.000.000 lekë me vlerë nominale të një aksioni 1.000 lekë. Sot, KF.Vllaznia zotëron një kapital 320.322.000,00 lekë. “Megjithëse Bashkia Shkodër ka investuar vazhdimisht tek Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a, ky investim ka rezultuar me humbje të mëdha për shkak të menaxhimit jo korrekt ndër vite.”– shprehet në dokumenta, Bashkia Shkodër e cila drejtohet nga Voltana Ademi, e cila ka njohuri të pakta për futbollin.
Ademi pranon dështimin me klubin Vllaznia, duke thënë se për shkak të keqmenaxhimit, buxhetit të bashkisë i është shkaktuar një humbje prej 308.350.378 lekë.
Ankandi për KF Vllaznia
Bashkia Shkodër thotë se është e nevojshme që KF. Vllaznisë sh.a, si një klub me kërkesa të mëdha financiare, t’i krijohet mundesia e nje administrimi më të përshtatshëm nëpërmjet privatizimit te tij. “Privatizimi lind si nevoje për ta fuqizuar KF. Vllaznia sh.a. Historiku i ketij klubi tregon se përpara se ta merrte administrimin bashkia, sponsorët kanë arritur ta mbajnë KF. Vllaznine në nivel të lartë, në vendet e para të klasifikimit, madje duke fituar edhe trofe dhe duke marrë pjesë në Kupat e Europës.” – thuhet në dokumenta. Pra, me pak fjalë, Ademi pranon jo vetëm që ka rrënuar financat e ekipit legjendar të futbollit, por nga ana tjetër nuk ka shënuar as sukses në rezultatet e renditjes, në Superligë.
Voltana Ademi thotë se tifozeria shkodrane e mirëpret një proces privatizimi të FK. Vllaznia, por nuk tregon sesi ka arritur në këtë përfundim. “Privatizimi i klubit është një domosdoshmëri për ta rikthyer këtë klub kryesues në tabelën e renditjes. Gjithashtu dhe tifozeria shkodrane mirepritet një proces të tillë privatizimi, si një potencial për të bashkuar më shumë burime financiare, menaxheriale e teknike në dobi të skuadrës së zemrës e cila i ka dhuruar emocione dhe ato e kanë duartrokitur me breza” thotë bashkia.
- Pikët e fituara në kampionatet e fundit
Klasifikimi 2011 – 2012
KF VLLAZNIA: Renditja në vendin e 6-të me 35 pikë.
Klasifikimi 2012 – 2013
KF VLLAZNIA: Renditja në vendin e 6-të me 38 pikë.
Klasifikimi 2013 – 2014
KF VLLAZNIA: Renditja në vendin e 8-të me 45 pikë.
Klasifikimi 2014 – 2015
KF VLLAZNIA: Renditja në vendin e 7-të me 35 pikë.
Klasifikimi 2015 – 2016
KF VLLAZNIA: Renditja ne vendin e 6-të me 39 pikë.
Klasifikimi 2016 – 2017
KF VLLAZNIA: Renditja në vendin e 6-të me 40 pikë.
/TPZ.AL/E.H