Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës është bashkëshortja e kryeministrit, Edi Rama ka blerë Bankën Kombëtare të Greqisë, NBG.
Mësohet se, transaksioni është mbyllur tashmë. Ndërkohë që, brenda pak ditësh pritet të bëhet edhe njoftimi zyrtar, së bashku me detajet e blerjes.
Blerja e NBG-së rrit edhe më shumë peshën e ABI bank në sistemin financiar shqiptar duke e bërë tashmë atë një nga bankat më të mëdha në treg.
Zgjerimi i vrullshëm i ABI bank në tregun vendas nuk ka kaluar pa u vënë re, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare që mbikqyrin ekonominë shqiptare.
Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit në sistemin financiar, duke i bërë thirrje Bankës së Shqipërisë të mos licencojë banka me konflikt interesi.
“Për të ulur rreziqet, Banka e Shqipërisë duhet të sigurohet se bankat e reja që kërkojnë licencë përmbushin kriteret ligjore, zotërojnë eksperiencën e nevojshme bankare dhe përjashtojnë konfliktin e interesit”, deklaroi FMN
Burime pranë FMN thonë se deklarata i referohet pikërisht ABI Bank, e cila përbën një një precedent në tregun shqiptar.
Ajo është banka e vetme në vend që vjen nga parajsat fiskale.
Por veç kësaj, në bordin drejtues të bankës, ulet Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.
Çka përforcon edhe më shumë dyshimet se kujt i referohet Fondi Monetar kur flet për banka me konflikt interesi.