Klik Ekspo Group, inspirimi i investitorëve të huaj për Shqipërinë

0
878

 

Edicioni i 24-t i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – UFI Approved Event, që do të mbahet në datat 23 deri në 26 nëntor 2017 në Pallatin e Kongreseve, vjen në vëmendjen e veçantë të ekspozuesve dhe institucioneve shteterore vendase e të huaja si inspirues për sipërmarrje të reja.

Klik Ekspo Group, misionar në përçuimin e klimës pozitive për të bërë biznes në Shqipëri, është sot ambasadori më i mirë i diplomacisë ekonomike në thithjen e biznesit dhe investitorëve të huaj në Shqipëri. Panairi Ndërkombëtar i Tiranës – UFI Approved Event (UFI – Organizata Globale e Panaireve dhe Ekspozitave), vjen si evenimenti i cili i përligj Shqipërisë cilësimin si Portë hyrëse drejt Ballkanit, një realitet me mbi 200 milionë konsumatorë, 75% e shifrave tregtare me BE, e pa përfshirjen e të cilit, nuk do të kishte Bashkim Evropian të përmbushur. Edhe ky edicion do t’u përmbahet hullive të traditës së edicioneve paraardhëse, duke parashikuar mikpritjen në Tiranë të sipërmarrësve dhe vizitorëve profesionistë nga mbi 20 realitete ndërkombëtare: mbi 350 ekspozues të regjistruar dhe mbi 40.000 vizitorë të parashikuar përgjate ditëve të Panairit.

Ashtu si edhe si në edicionet e shkuara, ekspozuesit e huaj me synim investimet dhe shkëmbime know-how e tregtare me Shqipërinë, shohin me interes të veçantë bashkëveprimin me institucionet dhe autoritetet në mbështetje të biznesit që përmbush kërkesat e tyre për informacionin e domosdoshëm në lidhje me tregjet, paketat fiskale, përfitimet dhe lehtësimet sipas llojit të sektorit. Në një panoramim informues mbi pjesëmarrësit dhe spikatjet e këtij edicioni, do të përmendnim Pavijonin e Republikës Popullore të Kinës nën kujdesin e CCIP-Këshillit për Tregtinë me Jashtë dhe Investimet e Huaja në Republikën Popullore të Kinës; Pavijonin e Bosnje Hercegovinës, organizuar nga Dhoma e Tregtisë me Jashtë e Bosnje Hercegovinës; Pavijonin e Republikës së Serbisë, për të 14-tin vit radhazi në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës (këtë vit frut i bashkëpunimit edhe me Dhomën e Tregtisë së Serbisë), si dhe pjesëmarrës nga Italia e Greqia, Hungaria, Turqia, Maqedonia, Kosova, Republika e Çekisë, Franca, Sllovenia, Mali i Zi, Kroacia, etj.

Ndër evenimentet në bashkëkohësi me Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, do të oganizohet në datat 24 dhe 25 nëntor Kongresi Ballkanik mbi Mjedisin dhe Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, një sektor, i cili, me politika të drejta e te zbatuara korrektësisht, dëfton qytetarí dhe ka ndikim të menjëhershëm në rritjen e produkteve turistike të vendit. Kongresi merr jetë teksa çështjet më të diskutuara globalisht janë problemet e mjedisit, ngrohja globale, menaxhimi i mbetjeve dhe zgjidhjet teknologjike përkatëse, zhvillimi i qëndrueshëm, shtimi i sipëfaqeve të gjelbra, kursimi dhe mirëmenaxhimi i rezervave natyrore, të qenurit miqësor me ambientin në industri e bizneset që ushtrojnë veprimtari të ndjeshme ndaj mjedisit. Si rrallëherë, përmasat e një veprimtarie dhe lëvizjeje të tillë zgjerohen me praninë aktive të 12 Universiteteve Publike dhe Jopublike, Intitucioneve Kërkimore e Shkencore, përfaqësuesit e të cilëve shprehën gatishmërinë për të kontribuar konkretisht me studime dhe punë kërkimore për zgjidhje mjedisore afatgjata.

Po ashtu, për të dytën herë është përzgjedhur kryeqyteti ynë dhe Panairi Ndërkombëtar i Tiranës për të pritur Asamblenë Vjetore e Komitetit Drejtues të CEFA – Aleanca e Panaireve të Evropës Qëndrore, me pjesëmarrjen e drejtuesve të enteve evropiane me përvojë shekullore në organizimin e panaireve dhe ekspozitave si Panairi i Mynihut, Panairi i Vjenës, Panairi i Selanikut, i Beogradit, Shkupit, Bolzanos, Pordenones, Zagrebit, Bukureshtit, Budapestit, Lubjanës, Novi Sadit, Sofjes, Brnos, Budvas etj.

Të tjera sallone të specializuara kushtuar Librit dhe Medias, Tregut të Sigurimeve dhe Institucioneve Financiare, Mbrojtjes dhe Sigurisë, do të mirëpresin vizitorët e specializuar gjatë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, nga 23 deri në 26 nëntor. Kalendari i eventeve dytësore, që gërshetojnë biznesin me kulturën, kërkimet shkencore me praktikat më të mira, traditën me risitë teknologjike, do të pasurohet me Forume të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare si ai Shqipëri – Republika Popullore e Kinës, si dhe Forumi i Biznesit Shqipëri-Serbi, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here