Luan Rama kujton Kongresin e Drejtshkrimit: Shteti e vrau në heshtje këtë ngjarje madhore

0
809

Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka rikujtuar Kongresin e Drejtshkrimit të mbajtur 45 vite më parë, në vitin 1972 në Tiranë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Luan Rama ka kritikuar autoritetet shtetërore dhe shkencore në Shqipëri që nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur kësaj ngjarjeje të madhe për historinë e kulturën kombëtare.

Sipas tij, “ata vendosën ta vrasin këtë ngjarje të madhe në heshtje, si dëshmi e injorancë së tyre që i komplekson deri në këtë shkallë, sa të na dëshmojnë se nuk kanë guximin as të flasin e jo më pastaj të ndërmarrin hapa për të realizuar nisma atdhetare e shkencore si Kongesi i Drejtshkrimit”.

Statusi i plotë

Kongresi i Drejtshkrimit – ngjarje  e rëndësishme për gjuhën dhe  kulturën tonë kombëtare.

45 vjet më parë, prej 20 deri më 25 nëntor 1972, u mbajt në Tiranë me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe me praninë e 87 delegatëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, padyshim ngjarja më e rëndësishme e shekullit XX për gjuhën tonë kombëtare pas Kongesit të Manastirit që miratoi alfabetin.

Me Kongesin e Drejtshkrimit, gjuha shqipe mbërriti të ketë standardet e një gjuhe moderne, të unifikuar në normën drejtshkrimore, ashtu sikundër duhet të jetë në fakt gjuha si elementi bazë e padyshim më i rëndësishëm i përveçimit të identitetit tonë kombëtar!

Prandaj, shteti shqiptar në rradhë të parë e mandej e gjithë bota kulturore e akademike shqiptare, por edhe i gjithë kombi yne do të duhej të nderonte në këtë përvjetor, veprën e paçmuar për nga dimensionet e pesha patriotike, kulturore e shkencore të të gjithë delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të cilët ishin përfaqësuesit më të shquar të elitës shkencore e akademike nga gjuhësia, letërsia, historia e mësimdhënia!

Mirëpo, autoritetet shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë zgjodhën ta vrasin këtë ngjarje të madhe për kulturën dhe historinë tonë kombëtare me heshtje, më së pari si dëshmi e injorancës së tyre, që i komplekson deri në këtë shkallë, sa të na dëshmojnë se nuk kanë guximin as të flasin e jo më pastaj të ndërmarrin hapa për të realizuar nisma atdhetare e shkencore si Kongesi i Drejtshkrimit!

E megjithatë, pavarësisht injorancës dhe keqdashjes, pavarësisht kompleksit dhe frikës që ajo sjell e që na e dëshmojnë udhëheqësit tanë udhëmbyllës, siç është edhe rasti i qëndrimit të tyre ndaj Kongesit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 45-vjetorin e mbajtjes së tij, kodifikimi dhe unifikimi i normës drejtshkrimore të gjuhës shqipe, mbetet një kontribut i vyer atdhetar në rradhë të parë, e mandej edhe shkencor e intelektual jo vetëm për gjuhën tonë si elementi i parë e më i rëndësishëm i identitetit dhe unitetit kombëtar, por edhe me gjerë për shkencat albanologjike, për historinë e kulturën shqiptare!

Ndaj, për jetë nderim e mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan 45-vjet më parë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të gjuhës tonë për të cilën Ndre Mjedja pati shkruar:

“Geg’ e tosk’ malci, jallia,

Jan’ nji komb, me u da s’duron,

Fund e maj nji a Shqypnia,

E nji gjuh’ t’gjith na bashkon!”

Sipas kësaj filozofie të shprehur me aq largpamësi nga Mjedja, vlerësimi i Kongresit të Drejtshkrimit me realizëm e objektivitet për çfarë kontribuoi në zhvillimin e gjuhës shqipe, e bën të domosdosshme një nismë të atyre përmasave, për të reflektuar gjithë zhvillimet që ka pësuar gjuha jonë e proceset nëpër të cilat ajo ka kaluar në keta 45 vjet, prej Kongresit e tëhu.

Eshtë një sfidë që i takon në rradhë të parë bashkësisë së punëtorëve të gjuhës shqipe, por edhe të gjithë shkencëtarëve e intelektualëve që dinë të kuptojnë rëndësinë që ka përmbushja e sfidave të tilla të mëdha e me interes kombëtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here